Ishim së bashku në shumë vende dhe për një kohë të gjatë, afër tridhjetë vjet, në Shkup, Letnicë, Prishtinë, Prizren, Romë, Oslo, Zagreb, Budapest, Bukuresht, Kalkutë…

Ajo, na e tregoi një rrëfim të vetin, foli për thirrjen e saj, për familjen e saj, për popullin shqiptar. E ndienim veten aq të bashkuar, aq të lumtur, në shoqërinë e saj, sa që na erdhi vështirë të iknim, për të zënë një çikë pushim edhe gjatë orëve të natës.

Një mbrëmje, qëndruam bashkë deri vonë. Më vonë, unë shkruaja përshtypjet e mia të ditës. Ajo më erdhi në dhomë dhe më tha: “Ti ende nuk fle, ti ende po punon?”, “Ulu, dëshiron të bisedojmë edhe pak?”- ia ktheva unë. “Jo, mjaft për sonte, nesër…”.

U ngrita qëllimisht të nesërmen, në orën katër dhe vajta në kapelë. E gjeta atje ulur, të kredhur në lutje dhe meditim.

Po, ajo jeton për të tjerët, por e gjen forcën, burimin tek Zoti për të qenë aq e mirë, aq e pranishme, aq e dashur, aq dhuruese dhe flijuese, aq “engjëllore”, sa që shpesh e pyetja veten: a është ajo “person” e rëndomtë, apo e jashtëzakonshme?

Një herë, u intervistua nga dy gazetarë rusë. Pyetjet që i bënë ata ishin politike, mbase provokuese.

Ajo i shikoi, por nuk u tha gjë. Pas një çasti heshtjeje, njëri prej tyre i tha Nënës Tereze: “Nënë, më duket si jam para nënës sime, sikur po flas me të. Mendoj se besimi yt është i madh, se Zoti yt është i mirë… Por në nuk mund t’i shkruajmë këto gjëra, ti mund ta kuptosh këtë.”

Nëna Tereze u përgjigj: “Mos u brengos. Unë nuk do ta lexoj atë që ju shkruani për mua, madje unë as që di rusisht… Gjëja më e rëndësishme është ajo që ndodhë në zemrat tona. Të jeni gjithmonë bartës të dashurisë dhe të paqes…”

Kur e shoqërova në Oslo për Çmimin Nobel, ajo kishte me vete një çantë të madhe, mjaft të thjeshtë dhe të varfër dhe herë-herë më thoshte: “Të lutem, ma mbaj pak këtë çantën dhe paratë, sepse në tërë këtë turmë dhe tollovi, ti mund të ma ruash më mirë”.

Për pesë ditë në Oslo, ngado që shkonte, ajo ishte e rrethuar nga gazetarë, fotografë, kamera televizive, komentatorë të radios dhe të televizionit, nga një turmë e madhe.

Ajo dha shumë intervista). E pyeta: “A është i rëndë për ty i tërë ky konfuzion?”.

“Kam bërë një kontratë me Jezusin, për çdo fotografi që të më bëjnë, një shpirt shpëton nga purgatori”, ma ktheu ajo me gatishmëri të madhe dhe duke buzëqeshur.

Pastaj, vazhdoi: “Sikur të më jepnin të gjitha këto para për të varfëritë…”.

Dhe përfundoi: “Mbase që të dyja janë të nevojshme për lavdin e Zotit”.

Një herë e pyeta drejtpërdrejt: Sa është gjallë, çdo gjë do të vente si është më së miri, po pas vdekjes së saj?

Nëna Tereze: “Nëse Kongregata ime është vepër e Zotit, atëherë pasi të vdes ajo do të zhvillohet dhe do të përparojë për të mirën e njerëzisë dhe të Kishës. Por, nëse një ditë motrat e mia nuk do të jenë besnike ndaj Zotit, nuk do të zbatojnë vullnetin e tij, atëherë unë do t’i lutem Zotit të mirë të shkatërrojë sa më parë Rendin tim…”

U ftuam nga një familje kroate në Oslo. E tërë familja u ul e lumtur për rreth Nënës Tereze dhe atëherë, papritur, Franko, djali i tyre i vogël, vrapoi jashtë. Menduam se kishte frikë, apo… Pas pak, ai u kthye dhe iu hodh ngryk Nënës Tereze, e mori për dore dhe ia shtrëngoi. Ai kishte ca para të imëta, “kursimet e tij”, të cilat ia zgjati Nënës Tereze duke i thënë: për fëmijët e tu të varfër!

Këtë gjest të rrallë, ajo e komentoi kështu: “Ky është çmim më i lartë se Nobeli, nga që vjen nga një zemër e pafajshme, që ka mbledhur këto para me javë të tëra për t’ua dhënë të varfërve”.

Sa ishim në Oslo, ajo i bëri një vizitë të shkurtër mbretit të Norvegjisë, Otavit V, më 10 dhjetor 1979, në orën 9:30. Ajo u prit me të gjitha nderimet. Pas përshëndetjes dhe një bisede të shkurtër, Nëna Tereze e pyeti mbretin: “Madhëri, a do të jenë i pranishëm sot në ceremoninë e prezantimit të Çmimit Nobel?”

Mbreti Otavo u përgjigj: “Unë do të vija me dëshirë, por unë jam gjithmonë në qendër të vëmendjes së njerëzve, prandaj nuk dua që edhe sot të ndodhë kjo. Sot është dita jote. Ti je personaliteti, prandaj unë nuk dua t’ua prish”.

“Jo, Lartmadhëri, jo. As Ju, as unë, nuk jemi të rëndësishëm, në qendër, por Zoti dhe të varfëritë tanë, prandaj nëse dëshironi të vini, ju nuk do t’ma prishnit mua as askujt”.

Mbreti pranoi pas propozimit dhe shpjegimit të saj dhe, për befasinë e të gjithëve, sidomos të organizatorëve, ai në të vërtetë ishte i pranishëm në ceremoni.

Nëna Tereze befasoi edhe Komitetin e Nobelit kur refuzoi darkën zyrtare dhe solemne, që ata kishin organizuar për nder të saj, duke thënë:

“Nuk mund të pranoj një darkë të tillë, përderisa njerëzit tanë vuajnë dhe vdesin nga uria… duam të jemi të varfër, siç janë ata…”.

Paratë që do të ishin shpenzuar për darkë iu dhanë Nënës Tereze për të varfëritë.

Pastaj, ne e shoqëruam për në aeroportin e Oslos. Para se të ndahej me ne, ajo tha: “Tani po shkoj në Romë për të qëndruar disa ditë me motrat e mia, pastaj do të takohem me Papën. Kam vendosur të tërhiqem nga jeta publike e gjithashtu edhe nga kreu i Kongregatës. Do të kthehem në qytetin e të gërbulurve!”.

Ajo edhe bëri kështu, por Papa, Gjon Pali II, e luti, në emrin e tij dhe në emër të tërë Kishës: “Nënë, Ju jeni dëshmia e gjallë e Krishtit dhe e Ungjillit. Prandaj, duhet të shkosh kudo që të thërrasin për të evangjelizuar dhe për dëshmuar dashurinë e Zotit për të gjithë…”.

Pas disa muajsh, ajo më tregoi: “Ati i Shenjtë më tha se unë duhet të vazhdoj punën, t’i vizitoj shtëpitë tona, të bart dëshminë e Zotit nëpër botë. Prandaj, unë do të bëj atë që ai kërkon nga unë, kjo do të thotë unë do të dëgjoj dëshirën e Zotit”.

Para se të nisej për në Romë, kisha një bisedë me kryetarin e Komitetit të Nobelit, Dr. John Sannes, i cili më tha: “Ne vërtetë, nuk dimë cilët janë ata që janë nderuar, ne, apo Nëna Tereze, që ka marrë Çmimin Nobel. Ne dëshirojmë ta falënderojmë përzemërsisht Nënën Tereze, që pranoi Çmimin Nobel për Paqe, prandaj tani vlera e këtij Çmimi është rritur jashtëzakonisht shumë… Mendoj se ajo mund të jetë ndihmë e madhe për ne duke na dhënë ndonjë sugjerim, që është zakoni dhe tradita jonë.

Do të ishte më mirë dhe më thjeshtë sikur ajo të merrte këtë Çmim edhe një herë (ai e tha këtë me buzëqeshje, mbase edhe me pak shaka, vr. ime)”.

Nëna Tereze ishte në Shkup. Ajo dëshironte të hapte një shtëpi, por hasi në shumë pengesa, pasi që autoritetet shfrytëzonin një shtëpi pranë rezidencës së ipeshkvit si depo të specializuar për “Makedonija filmin”. Në bazë të një marrëveshje mes të dy palëve, të paktën një pjesë e kësaj shtëpie duhej të zbrazej për motrat e Nënës Tereze dhe pastaj t’i dorëzohej ipeshkvisë.

Ajo tha me mjaft besim dhe bindje: “Nuk ka problem, mos keni merak. Nesër do të hedh medaljen e mrekullive të Zonjës Sonë dhe çdo gjë do të mbarojë mirë, së shpejti do ta kemi shtëpinë”.

Pastaj ajo rrëfeu këtë episod: “Ishim në Londër dhe na duhej një shtëpi, një shtëpi e veçantë. Motrat më thanë se, për shumë arsye, do të ishte më e përshtatshme që ta blinim atë shtëpi të caktuar. Por, na ishte aty një njeri “i vështirë”, i cili nuk donte assesi ta shiste… U thash motrave: Keni besim, nesër unë do të shkoj dhe do të hedh medalen e mrekullisë së Zonjës Sonë dhe çdo gjë do të jetë më lehtë. Dhe, të nesërmen në mëngjes, bëra pikërisht kështu. Në mbrëmje ai njeri erdhi dhe më tha: “Dua ta shes shtëpinë dhe dua që ju të jeni ata që do ta blini…”. Çmimi ishte pikërisht ashtu sa ishim ne të gatshëm të paguanim… E shihni, pra, kjo është vepër e Zonjës Sonë”, përfundoi ajo.

Këtë bëri dhe në Shkup dhe mori të njëjtat rezultate, asaj iu dha pjesën e shtëpisë që përdorej për deponimin e filmave…

Më 1986, Nëna Tereze ishte në Zagreb. Mesha e shenjtë, u kremtua në katedrale, nga argjipeshkvi i Zagrebit, kardinali Franjo Kuhoriq dhe nga afro 50 priftërinj, para një turme që mbushte katedralen dhe sheshin para saj.

Pas meshës, kishte një procesion të pafund të njerëzve, që nga katedralja deri te rezidenca e argjipeshkvit, të cilët kishin rrethuar Nënën Tereze, donin ta shihnin, ta preknin, të ishin sa më pranë saj…

Një grua u ul më gjunjë para saj dhe deshi t’ia puthte këmbët, duke qarë: “I bekuar është ai që vjen në emër të Zotit Tonë! Më lë të t’i puth këto këmbë të bekuara, që ecin nëpër rrugët e botës duke sjellë ngado dashurinë e Zotit!”.

Të gjithë u prekëm nga ky gjest i përzemërt dhe i thjeshtë, madje edhe Nëna Tereze, e cila komentoi: “Sot njerëzit ndiejnë nevojë aq të madhe për Zotin!”

Gjatë darkës, në pallatin e argjipeshkvit, ajo na rrëfeu episode të ndryshme nga vizita e saj në Kubë dhe pjesë nga biseda që kishte pasur me liderin, Fidel Kastro.

“Pas një bisede të përzemërt, ai u ngrit dhe tha: “Nëna Tereze, të faleminderit për shërbimin tënd për të varfëritë dhe nevojtarët”. Unë iu përgjigja shkurt: “E bëj për Jezusin…”, dhe pastaj shtova, “unë do të lutem për ty dhe për familjen tënde që të kesh dashurinë e Zotit dhe të popullit tënd”.

Dhe, i thashë që të lutet me mua…

Kastro ma ktheu: “Lutja ime për ty dhe për motrat tua do të jetë përkushtimi im ndaj të varfërve dhe nevojtarëve”.

Në takimin tonë të fundit dhe bisedës së përzemërt, ajo më tha: “Kur të kesh pirë një pikë ujë më kujto, lutu për mua dhe unë gjithmonë do të kujtoj në lutjet e mia para Zotit Tonë, sepse ti je prifti im!”.

Fjala e rastit në Milano, 22 tetor 2021 (hapja e kishën Nëna Tereze)

Don Lush GJERGJI