Shqipëria nis administrimin e dozës së tretë antikovid nga 1 nëntori për të gjithë personat mbi 60 vjeç. Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, (ISHP), Albana Fico tha se doza e tretë e vaksinës do të jetë e njëjtë me dy të parat.
“Personat të cilët kanë marrë një vaksinë të caktuar, doza e tretë do të jetë vaksina që ata kanë marrë. Dhe në të gjitha rastet me një udhëzim do të shpjegojmë rastet ku mund të kemi kombinime vaksinash”, deklaroi ajo. Fico ripërsëriti sërish apelin drejtuar qytetarëve për të marrë vaksinën kundër COVID-19.
“Duhet të nxisim dozat e para dhe të dyta, të kryhen, sepse çfarëdo lufte bëjmë ne, nëse ne kemi një popullatë e cila nuk vijon të vaksinohet me ato ritme që duhet, një shtamë tjetër mund të jetë ai i cili do të kërkojë edhe më tepër mund. Së pari thirrja është për të vaksinuar të pavaksinuarit”, tha ajo.
Kjo vaksinë, sipas ekspertëve rekomandohet të merret 6 muaj pas marrjes së dy dozave të para.