Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka zhvilluar ditën e sotme një bashkëbisedim me gazetarët. E pyetur se si do ta caktojë Kuvendi i Shqipërisë, Sali Berishën dhe nëse do të ketë ndonjë referencë për të, ajo tha se ish-kryeministri sot funksionon si një deputet pa grup parlamentar.

“Rregullorja e kuvendit thotë që çdo deputet e deklaron me shkrim se në cilin grup do të bëjë pjesë. Por më pas është vendimmarrja e grupit parlamentar që bën listimin dhe deklarimin e anëtarëve të grupit. Dhe grupi parlamentar i PD e ka nxjerrë jashtë deputetin Sali Berisha. Dhe sot ai funksionon si deputet pa grup parlamentar. Nuk është vetëm, janë 8 deputetë që janë pa grup parlamentar”, tha Nikolla.

Berisha u përjashtua me vendim të Lulzim Bashës nga kreu i grupit parlamentar të PD, pas kërkesës së ambasadores amerikane Yuri Kim, bazuar në shpalljen “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të ish-kryetarit të PD dhe familjarëve të tij.