Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla priti sot ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Alastair King-Smith.
“Ambasadori Smith shprehu vullnetin e Mbretërisë së Bashkuar për zgjerimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit midis të dy vendeve. Parlamenti dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar vlerësojnë kontributin e Kuvendit të Shqipërisë në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe kanë bindjen se me opozitën pjesë aktive e Kuvendit, reformat do të avancojnë”, thuhet në deklaratën për shtyp të Kuvendit.
Më tej bëhet e ditur se Nikolla i uroi ambasadorit Smith teksa vlerësoi edhe ecurinë e deritanishme të bashkëpunimit dypalësh shqiptaro-britanik, veçanërisht shkëmbimin e vizitave të zyrtarëve të lartë të dy vendeve gjatë viteve të fundit.
“Kryetarja Nikolla dhe ambasadori Smith biseduan edhe mbi disa aspekte konkrete të bashkëpunimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Dhomës së Komuneve të Mbretërisë së Bashkuar, veçanërisht shkëmbimeve të grupeve të miqësisë e komisioneve parlamentare, si edhe mbështetjen prej Dhomës së Komuneve të Kuvendit në avancimin e reformave, procesin legjislativ, kontrollin e monitorimin parlamentar, mbështetjen e institucioneve të pavarura, harmonizimin e sundimit të shtetit ligjor me respektimin e të drejtave të njeriut etj”, thuhet në deklaratë.