Nisi në Romë samiti i krerëve të 20 vendeve më të industrializuara të botës, i pari në dy vjet me prani fizike, edhe pse sërish dy presidentë nuk do të jenë në sallë: Xi Jingping i Kinës dhe Vladimir Putin i Rusisë. Ata kanë preferuar të marrin pjesë përmes lidhjeve –video.
“2 vjet nga fillimi i pandemisë, më në fund mund ta hedhin vështrimin nga e ardhmja me më shumë optimizëm”, u shpreh kryeministri Italian Mario Draghi.
“Fushatat e vaksinimit patën ukses dhe veprimet e koordinuara nga ana e qeverive e bankave qendrore kanë lejuar rimëkëmbjen e ekonomisë globale. Shumë nga vendet tona, po hartojnë plane për t`i dhënë rritjes një impuls të ri e për të promovuar qëndrueshmërinë. Së bashku, po ndërtojmë një model të ri ekonomik nga i cili do të përfitojë e gjithë bota”, u shpreh ai.
Lufta kundër koronavirusit, pasojat ekonomike të pandemisë por edhe ngrohja globale pritet të mbizotërojnë agjendën e takimit të nivelit të lartë.
Përpara nisjes së tij, policisë në Romë iu desh të largonte grupë aktivistësh të klimës që kishin mbyllur një rrugë pranë Ministrisë së Mjedisit, që të çon drejt vendit ku zhvillohet samiti i G20-s.
Gazeta e Romës “Repubblica” shkruan se ky samit nuk duhet t’ia lejojë vetes të jetë vetëm një mundësi për të bërë një foto të bukur me krerët e shteteve e qeverive nga e gjithë bota, që “qeshin po nuk bëjnë asgjë praktikisht.
“Tre temat kryesore -People, Planet, Prosperity (njerëzit, planeti, mirëqenia) që përbëjnë axhendën e samitit janë probleme gjigante. Nuk pritet mrekulli nga Roma, por shenja të mendjes së shëndoshë, vullnetit të mirë dhe zemërgjerësisë të të 20-ve për planetin. Kjo duhet të ndodhë. Shtrëngim duarsh dhe foto në grup nuk mjaftojnë,” thuhet në shkrim.