Kryetari i degës së PD në Fier, Luan Baçi është shprehur se nuk ka dhënë dorëheqje nga posti, por vazhdon ushtrimin e detyrës.

Baçi tha se ka shkëmbyer një mesazh me sekretarin e Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi ku i ka kërkuar që të kandidoj për deputet në Qarkun e Fierit, duke vënë në dispozicion edhe dorëheqjen.

Por që nga ky moment, nuk ka patur asnjë veprim tjetër dhe Luan Baçi ka vijuar të ushtrojë detyrën e kryetarit të degës së PD në Fier.

“Më është kërkuar nga zoti Basha dhe Gaz Bardhi, Sekretar i Përgjithshëm që ka dalë një udhëzim dhe duhet të kemi një farë komunikimi për mënyrën si do të kandidojmë. I kam nisur një SMS në telefon Gazment Bardhit ku i kërkoj të kandidoj për deputet dhe ka në dispozicion dorëheqjen time. Kjo me kërkesën e tyre për të qenë në rregull me udhëzimin e tyre, sepse statuti nuk e kërkonte. Por që nga ai moment nuk është bërë asnjë lloj veprimi dhe unë kam vazhduar në detyrën e kryetarit të degës.

Nuk ekziston asnjë shkresë e vulosur dhe e firmosur nga unë, përveç një mesazhi të nisur ku i kërkoj të kandidoj dhe ka në dispozicion dorëheqjen”, u shpreh Baçi.