Nga Alfred Peza/
PS në veçanti dhe mazhoranca qeverisëse në tërësinë e vet, thjeshtë po rrijnë e po vështrojnë, atë që po ndodh prej disa muajsh në kampin kundërshtar. Nuk po e bëjnë këtë për të parë gallatë, e për tu kënaqur, por për të respektuar rregullat e lojës politike në demokraci. Nëse loja do të luhej brenda së majtës, nuk jam i sigurtë nëse e djathta do bënte sot të njëjtën gjë, por fakt është se Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar herët një qasje të re gjatë mandatit të tretë qeverisës.
Ka një sentencë shumë të njohur nga një filozof i shquar, sipas së cilës, asnjëherë mos e ndërprisni armikun tuaj kur është duke gabuar. Por ajo që po ndodh aktualisht brenda kampit të opozitës sonë, nuk është as gabim, por edhe ajo vetë nuk është armike e PS dhe e së majtës shqiptare. Përkundrazi. Opozita është vlerë e demokracisë, pasi sa më e fortë dhe vitale që të jetë ajo sot, aq më e mirë do të jetë Shqipëria nesër kur të qeveriset prej saj.
Megjithatë kjo nuk do të thotë që duhet ta ndërprisni PD dhe lidershipin e opozitës sonë, ndërkohë që është duke zhvilluar luftën më të madhe brenda llojit në historinë e saj. Përplasja që ka nisur, është një proces i shëndetshëm, që po shërben për ti bërë katarsisin organizimit të saj politik. Përmes përlasjes së munguar deri dje mes Berishës e përkrahësve të tij dhe Lulzim Bashës që e ka përjashtuar atë nga Grupi Parlamentar i PD nga ana tjetër, po ndodh një operacion i thellë pastrimi.
Ky operacion ka vendosur gishtin mbi plagën e madhe që ndodhet në trupin e PD, e cila po e pengon atë prej tri mandatesh radhazi, që të rikthehet në pushtet. Ajo plagë e ka burimin nga e shkuara. Ajo është e vjetra. E djeshmja. E cila po bën gjithçka mundet, për ta penguar pjesën e shëndoshë të opozitës sonë, që të eci drejt së ardhmes. Që të nxitojë drejt së resë. Që të vrapojë drejt së nesërmes. Për ti hapur rrugën një elite të re të lindur, rritur dhe edukuar në liri, që ta çojë vendin përmes vlerave më të mira të së djathtës tradicionale e moderne, drejt familjes europiane.
Pak rëndësi ka nëse plaga e madhe opozitare, mishërohet me një emër. Me një person. Me një politikan. Me një lider. Apo nëse emri i tij është Sali Berisha. Më e rëndësishme se të gjitha këto, është realiteti që lidhet me ekzistencën e problemit, e cila është shndërruar prej disa mujash në një çështje të shtruar për zgjidhje. Ajo që e bën më të rëndë këtë situatë, është rezistenca e kësaj plage politike, për të mos dalë jashtë organizmit të gjallë të opozitës shqiptare.
Sa më e madhe rezistenca, aq më e madhe bëhet çdo ditë e më tepër, jo vetëm masa por edhe cilësia e plagës. Duke shtuar jo vetëm sasinë e qelbit, që ajo grumbullon brenda saj në situtuata të tillë, por edhe sipërfaqen e acaruar rrotull saj. Duke ndihmuar kësisoj, më shtimin e dhimbjes. Kjo e bën atë edhe më të rrezikshme, për pjesën e shëndoshë të trupit politik, duke rrezikuar ta infektojë pa u ndalur derisa ta çojë në kolaps. E më pas, drejt vdekjes së sigurtë. Është kjo edhe arsyeja se përse është sot kaq urgjente, ndërhyrja për ta eleminuar atë.
Në këtë përplasje mes Lulzim Bashës dhe mbështetësve të tij dhe Sali Berishës dhe atyre që e rrethojnë, shpëtimtare është diagnoza që kanë dhënë SHBA, përmes vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe urdhërit ekzekutiv të Presidentit Joe Biden për minuesit e demokracisë në Ballkan. Pas kësaj, antitrupat brenda PD dhe opozitës shqiptare, e kanë gjetur ilaçin për të shpëtuar nga plaga që nuk po i lë të vrapojnë drejt pushtetit. Largimi i Sali Berishës dhe më pas pastrimi i mjedisit nga berishistët dhe i sistemit politik nga berishizmi, janë zgjidhja që do të sjelli shpëtimin e saj.
Në këtë histori ka një palë të tretë në lojë, që është mazhoranca socialiste dhe lidershipi i saj, që po bëjnë gjithçka për të mbajtur distancën e duhur higjenike për të mos u përzier në këtë luftë brenda llojit. Kjo nuk ka të bëjë thjeshtë me zbatimin me cinizëm e aq më pak me hipokrizi, të thënies së filozofit të sipërcituar, për ta lënë armikun të lirë e të pa trazuar që të gabojë. Jo.
Mospërzierja në këtë histori, është e vetmja ndihmë që PS mund ti japë PD-së. Kjo është një sjellje prej kundërshtari të denjë, në një situatë si kjo ku ndodhet opozita jonë sot, e cila nuk i urohet dot as armikut. Çdo ndërhyrje në këtë histori, thjeshtë dhe vetëm sa do ti jepte mundësi plagës që të përhapej pa u ndalur dhe pjesës së shëndoshë të trupit opozitar, veç të lëngonte në shtratin e vdekjes!