Papa Françesku bëri sot thirrje për një veprim efikas ndaj ndryshimeve klimatike për hir të brezave të ardhshëm, ndërsa ka filluar Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, COP26, në Glasgou, Skoci.

“Le të lutemi që klithma e tokës dhe klithma e të varfërve të dëgjohet”, tha kreu i Kishës Katolike para një turme të madhe në Sheshin e Shën Pjetrit.

“Takimi duhet t’u japë shpresë brezave të së ardhmes”, shtoi Papa Françesku.

Në një artikull të botuar sot nga gazeta italiane “Corriere della Sera”, Papa Françesku theksoi se e kaluara e afërt ka treguar se fëmijët, në veçanti, e kuptojnë shumë mirë shtrirjen e sfidave me të cilat përballet shoqëria, veçanërisht krizën klimatike dhe, për këtë arsye, ata duhet të dëgjohen “me zemër të hapur”.

“Është çasti për të rimenduar përparësitë”, këmbënguli Papa Françesku.