Nga Namir Lapardhaja/

E pyesin në Shkodër për problemin e pronave dhe për zyrtarë e pranishëm në sallë, që nuk i kanë zbatuar ligjet gjatë qeverisjes së tij, dhe ish-kryeministri Berisha thotë: “Keni të drejtë!”

E pyesin “sa antikomunist ke qenë?” dhe përse nuk u arrit as të nisë si duhet dekomunistizimi i shoqërisë, teksa ka qenë për 13 vite në pushtet, dhe sërish Berisha përgjigjet: “Shumë i drejtë shqetësimi juaj!”

E pyesin lidhur me ish-zyrtarët e korruptuar në administratë, polici e parlament, që e shoqërojnë në çdo qytet ku bëhet “Foltorja” me makina që nuk do t’i blinin kurrë me paratë si deputet, ministër apo zyrtar të lartë policie, e sërish Berisha thotë: “Shqetësim i drejtë!”
E pyetën në Durrës se përse në qeverisjen e dytë, më 2005, ktheu në kabinet njerëz me të cilët demokratët ishin ndeshur mbi tank në vitin 1997, apo që ishin tallur me demokratët kur qeverisnin bashkë me PS-në, dhe ai sërish thotë: “Keni të drejtë!”

Dhe pasi u jep njerëzve kaq herë të drejtë, për atë që nuk bëri dot, nis të sulmojë atë që e propozoi dhe mbështeti vetë në tetë vite, Lulzim Bashën.

E pse? Jo për gabimet për të cilin i flasin demokratët për qeverisjen e tij, e as për gabimet e opozitës në këto tetë vite ku Berisha dominoi me hijen e tij, duke ruajtur pozicionin politik, pavarësisht se i është kërkuar që të reagojë. (Ndërkaq Lulzim Basha është në sulm prej tij për të vetmen gjë që e bëri më keq se gjithçka në këto tetë vite, që gaboi se nuk diti ta largonte në tetë vite dhe që e mbrojti me aq zell ditën që e largoi!).

Këto janë paradokset e Sali Berishës, që po tregon se nuk e kupton dot kohën e tij politike. Jo vetëm demokratët, por edhe shumë shqiptarë të ndershëm, ia pranuan rikthimin e tij në pushtet, duke e konsideruar si padrejtësi revolucionin komunist të vitit 1997, që e dogjën Shqipërinë për të rimarrë pushtetin.

Por, pas tetë vitesh kryeministër, me gjithë të mirat për vendin, me rrugët, ekonominë, liberalizimin e vizave dhe NATO-n, por edhe korrupsionin gjigand në çdo qelizë, Sali Berisha jo vetëm që nuk duhej të ringjallte shpresën për të gjithë të korruptuarit e kohës së tij, me iluzionin se mund të jenë sërish padronë të PD-së, por edhe duhej të kishte pranuar ikjen, si gjëja më natyrale në politikë, pasi ke shërbyer dhe ke dhënë dorëheqje. Mirëpo, vetëm mendësia e një diktatori mund të të bindë së brendshmi se je i pazëvendësueshëm në politikën e përditshme, se askush pas teje nuk di të bëjë asgjë.

Do të mjaftonte ky mllef për të kuptuar se nëse do zgjidhje gjithçka përmes lëvizjes së tij, PD do të mbushej me mllef dhe hakmarrje- dy ndjesi që shkatërrojnë male e jo parti politike.

Sali Berisha nuk arriti të kuptojë ikjen me lavdi. Tani rrezikon të turpërohet nga marritë e një njeriu që kërkon të mbledhë një Kuvend për vetveten, për ta detyruar partinë që e themeloi dhe drejtoi drejt një humnere. Fiks ashtu siç ka menduar gjithmonë: “Pas meje nuk dua të mbahet mend njeri!”

Dhe këtë po bën, fatkeqësisht!

Edhe pse e di shumë mire që vendimin e ka marrë Blinken, SHBA, e jo i binduri i tij më i madh në PD, Lulzim Basha!