Nga Artur Ajazi
Sali Berisha nuk ka ndërmend të bëjë ujdira me Lulzim Bashën. Kush e beson këtë gabohet rëndë, dhe nuk e njeh sado pak ish-kryeministrin e vendit. Gjithçka Berisha e kërkon për vehten dhe hesapet e tij. Ai mendon dhe deklaron se “partinë e ngrita unë, e drejtova unë, dhe do ta trashëgoj unë”. Vendosja e Lulzim Bashës 8 vjet më parë në krye të Partisë Demokratike, shihet sot si gabimi më fatal i Berishës, së bërë në 30 vite si politikan. Ai, nuk arriti edhe sa ishte vetë kryetar de jure i asaj partie,të ndante drejtimin perëndimor nga sundimi bajraktarist. Berisha formëzoi edhe bazën e asaj partie sipas interesave të tij, dhe kurrë nuk u nda nga “frymëzimi” komunist edhe për çështje madhore siç janë liria, fjala e lirë, dhe demokracia e brëndshme në Partinë Demokratike.
Fjalimet e ish-kryeministrit nga “foltorja”, ngjasojnë si ato të Enver Hoxhës pas Konferencës së Tiranës, ku nisi sulmet ndaj kujdo që sipas tij “ja kishte me të pabesë”. E keqja më e madhe e nisjes së proceseve demokratike në Shqipëri, ishte dhe vazhdon të mbetet, përfshirja e ish-komunistëve në drejtimin e partive të reja. Aq e gabuar ishte ajo “taktikë”, sa edhe sot pas afro 3 dekadash, Partia Demokratike dhe jo vetëm ajo, kanë hijen e tyre. Madje edhe Lulzim Basha, ka marrë shumë nga Berisha, si format dhe metodat e sundimit në PD. Vendimi amerikan mbi shpalljen “non-grata” të Sali Berishës, i vuri nën presion Lulin dhe të vetët, por ajo që mbetet kryesore në gjithë këto zhvillime është fakti se Partia Demokratike ishte krejtësisht e pasqaruar për vendimin e kryetarit saj.Përjashtimi i Berishës, mbledhjet dhe thirrjet në salla “Berisha-Berisha, Basha ik”, apo dhe ngjyrime të tjera të cilat shoqërojnë “foltoren” e tij, parashikojnë shumë shpejt ndarjen e pashmangshme të Partisë Demokratike. Sali Berisha nuk mund të pajtohet me “pabesinë” e Lulit, dhe nuk mund të përtypë kapardisjen e tij majë Partisë Demokratike.
Psikologjia e Doktorit njihet nga të gjithë, “ç’ka asht e imja, s’asht kurrë e tjetërrkujt”. Me këtë mentalitet Sali Berisha drejtoi për afro 2 dekada e gjysëm partinë, dhe nuk toleronte askënd ti tregonte “udhët”, pasi e largonte si leckë kur të donte.Sot Berisha po tregohet “toleranti, përçuesi fjalës dhe mendimit të lirë, demokrati perëndimor, proamerikani, njeriu që themeloi, drejtoi dhe solli në pushtet PD”. Por ai harron se bëmat e qeverisjes tij, kanë fshirë përfundimisht çdo vlerë që ai mund të kishte në proceset demokratike. Ai dhe klani i tij, janë përgjegjës për krime dhe afera të tmerrshme korruptive, janë përgjegjës për shkatërrimin e pronave të shqiptarëve, bregdetit, dhe pasurive natyrore, largimin masiv të popullatës, duke krijuar mendimin se “ky vend është është i pajetueshëm”. Në kohën e qeverisjes së Sali Berishës, u larguan nga vendi mijëra e mijëra shqiptarë, mes tyre intelektualë të shkolluar që do ti kishin bërë shërbime të vyera Shqipërisë.Ndarja, është nacion bashkëshoqërues në jetën politike të Sali Berishës. Partia Demokratike, është përballë sfidave me vetveten, mes luftës për të rimarrë kreun e saj nga Berisha, dhe rezistencës apatike të Bashës, i cili duket se shpresën e vetme, e ka tek amerikanët.
Agonia e tejzgjatur mbi 8 vjeçare, mungesa e aksionit opozitar, apo dhe një kursi të ri politik nga lidershipi aktual, përkohosisht po i jep “shanse” Sali Berishës ta trajtojë atë parti si çiflik që i takon atij, dhe askujt tjetër.