Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka zhvilluar një mbledhje këtë të hënë. Kryetari u grupit, Taulant Balla, ka folur për mediat në përfundim të mbledhjes, ku ka treguar se për çfarë është diskutuar mes deputetëve dhe çfarë është vendosur.

Socialistët kanë vendosur që të mos votojnë një prej komisioneve hetimore të kërkuara nga Partia Demokratike. Bëhet fjalë për çështjen Becchetti. Balla tha se kjo kërkesë bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe interesat e Shqipërisë.

“Është e vërtetë që pakica ka të drejtë të ngrihet në komision hetimor, por kur kërkesa bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe mendoj që kjo kërkesë bie në kundërshtim me interesat e Shqipërisë në raport me disa procese gjyqësore që po zhvillon Shqipëria. Shpresoj që opozita në këtë fazë të procesit gjyqësor interesi që duhet të prevalojë është interesi i Shqipërisë. Shqipëria duhet të mbrojë interesat e saj”, tha Balla.

Balla argumentoi se çështja është ende në proces gjyqësor dhe nuk duhen dëmtuar interesat e saj. Sa i përket dy komisioneve të tjera hetimore të kërkuara, atë për inceneratorët dhe zgjedhjet e 25 Prillit, Balla tha se mjafton gjetja e një formulimi të saktë të objektit të hetimit dhe mund të vijojë puna. Megjithatë, kreu i grupit parlamentar socialist tha se duhet të respektohet parimi i prezumimit të pafajësisë.

“PD vjen me disa pretendime, të shqyrtojmë pretendimet që lidhet me patronazhimit, por duhet të prevalojë parimi i pafajësisë. Mendoj se formulimi i mesëm ekziston. Për PD ka rëndësi pranimi pa kushte i PS për të ngritur një komision hetimor për të hetuar pretendimet në lidhje me zgjedhjet. Ky është një standard që ne e kemi vendosur”, tha Balla.

Balla tha ndër të tjera se socialistët do të votojnë kundër disa dekreteve të presidentit dhe do të miratojnë vetëm një prej kandidatëve të prezantuar nga Meta për Autoritetin e Konkurrencës.