Parlamenti Evropian ka vendosur të padisë Komisionin Evropian pas refuzimit të përsëritur të ekzekutivit për të aktivizuar një mekanizëm të ri kushtëzimi që mund të ngrijë fondet e BE-së për shtetet anëtare që dyshohet që kanë shkelur ligjet e unionit.
Sipas raportimeve, padia është dorëzuar të premten nga shërbimi ligjor i Parlamentit pranë Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, me seli në Luksemburg.
“Ne presim që Komisioni Evropian të veprojë në mënyrë të qëndrueshme dhe të përmbushë atë që presidentja von der Leyen tha gjatë diskutimit tonë të fundit plenar mbi këtë temë. Fjalët duhet të kthehen në vepra,” tha presidenti i Parlamentit të BE-së, David Sassoli në një deklaratë. .
Eurodeputetët kanë kërcënuar për javë të tëra Komisionin me padi në përpjekje për t’i bërë presion ekzekutivit për të aktivizuar mekanizmin kundër vendeve të BE-së të akuzuara për cenim të demokracisë, si Hungaria dhe Polonia.
Rregullorja që mbështet skemën ka qenë në fuqi që nga janari, por zyrtarisht nuk është ndërmarrë asnjë hap për ta zbatuar.
Megjithëse është shprehur se ishte e gatshme që ta aktivizonte mekanizmin, presidentja Ursula von der Leyen ditët e fundit ka ndryshuar kurs: ekipi i saj tani do të presë derisa të vendoset çështja para gjykatës për të pasur siguri të plotë juridike.