Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja priti sot në Ministrinë e Drejtësisë, homologen e Kosovës Albulena Haxhiu.
Ai tha se Reforma në Drejtësi dhe sfidat në sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe në Kosovë ishin temat kryesore që diskutuam së bashku.
“Në këtë takim, theksova se Reforma në Drejtësi ka shkëputur ndikimin e politikës dhe të çdo aktori duke siguruar që gjykatësit dhe prokurorët si dhe institucionet e reja të punojnë në pavarësi dhe të jenë të mbrojtur nga ligji. Gjithashtu diskutuam për shkëmbimin e përvojës si dhe arritjet dhe sfidat, me të cilat përballen sistemet në të dy vendet kur Reforma në Drejtësi dhe vazhdimi i procesit të Vetingut mbeten përparësi”, tha ai.
Po ashtu, Manja e garantoi homologen për mbështetjen e plotë si dhe gatishmërinë për të ofruar kapacitetet dhe praktikat e Shqipërisë në reformën më të rëndësishme në vend, atë në Drejtësi, për peshën që zë drejtësia dhe kuadri tërësor ligjor për bashkëpunimin e ndërsjellë, përfshi shkollimin e magjistratëve si pjesë e përpjekjeve për përafrimin e legjislacionit dhe eurointegrimin.