Mbrojtësi holandez zbuloi se çfarë do të kishte bërë, nëse nuk do të bëhej futbollist: “Nëse nuk do të kisha qenë futbollist do të isha bërë volejbollist (qesh). Të gjithë theksuan, veçanërisht në vitin e parë, ndërhyrjet e mia me dorë. Për të thënë të vërtetën, nuk e di, gjithmonë mendoja të isha futbollist, nuk kam menduar për profesion tjetër.

Bëra gjithçka për të arritur këtu ku jam në futboll, jam i kënaqur. Prindërit e mi janë marrë me tenis për gjashtë ose shtatë vite. Më pëlqeu si sport, por jo si futbolli, dashuria ime. Tenisi është një sport shumë individual, më pëlqen të luaj me ekipin më shumë”.

Ekziston edhe një ish-futbollist në familjen e De Ligt. Vjehrri i tij luante për Ajax: “Me babanë e të dashurës sime flasim shumë për futbollin, ai ka luajtur dhe e di se si funksionon ky sport. Është gjithmonë mirë të flasësh me atë që ka më shumë përvojë në jetë dhe në futboll, kjo më bën të ndihem më i qetë. Pastaj, sigurisht diskutojmë edhe gjëra të tjera”.

Qendërmbrojtësi i Juventusit shpjegoi se cilin kundërshtar do të donte të sfidonte në karrierën e tij: “Përballja me një sulmues si Lewandowski është e vështirë, sepse ai ka kaq shumë përvojë dhe nuk ka nevojë të luajë gjithmonë mirë për të shënuar gol. Ai është kundërshtar shumë i komplikuar për një mbrojtës”.

Idhulli i fëmijërisë së De Ligt nuk ishte mbrojtës. Në fakt, ishte Christian Eriksen: “Ai luajti për Ajax si mesfushor dhe unë kam qenë i tillë në të kaluarën”. De Ligt nuk ka dyshime se cila ishte ndeshja e tij më e mirë: “Ajo kundër Real Madridit”. Së fundi, ai zbuloi se cilat janë vendet më të bukura për t’u vizituar në Torino: “Parco del Valentino ose Piazza San Carlo”.