Një përplasje ka ndodhur gjatë fjalës së ish-kryeminsitrit Sali Berisha në Shkodër. Stela Karafili, një nga të pranishmet në takim, e cila vite nga një familje e persekutuar nga diktatura komuniste, bëri që salla të trazohet. Ajo foli për ligjin e të persekutuarve dhe për trupat që nuk gjenden

‘Unë jam Stela Karafili dhe vij nga një familje e të persekutuarve si 90% e pranishmëve këtu. Sali Berisha, sa antikomunist ka qenë gjatë këtyre 30 viteve? Nëse për 45 vite janë shkelur të drejtat e të gjithë shtetasve shqiptarë, realisht si nga PD dhe PS, kjo e fundit e dimë që rrënjët i ka nga komunizmi, si është e mundur që eshtrat e familjarëve tanë nuk gjenden? Qeveria socialiste që erdhi në 97 i ndërpreu dhe nxorri nga burgu ata që u dënuan për krimet e komunizmit.’– tha ajo, dhe një pjesë e demokratëve u ngritën në këmbë dhe tentuan që t’i marrin mikrofonin.

Vetë ish-kryeministri Sali Berisha u kërkoi demokratëve e që t’ia kalonin mikrofonin vajzës, por ata nuk bindeshin.

‘PD ishte partia e parë në Europën ish-komuniste miratoi ligjin e dënimit të genocidit komunist. 10 vite pas nesh e ka miratuar Polonia këtë ligj. Me këtë ligj janë dënuar 75 eksponentë. Viktimat e komunizmit janë në numër më shumë se ato të nazizmit. Diktaturë si kjo në Shqipëri nuk ka patur askund në Europë.’- tha Berisha.

“Njerëzit kanë pak probleme me termin e demokracisë. Bëhet fjalë për të ardhmen e brezave…”- shtoi ajo dhe zërat në sallë nuk pushonin derisa i morën mikrofonin përfundimisht vajzës.

“E drejtë Stela, do të të lë takim në zyrën time në Tiranë, të premtoj,”- tha Berisha dhe vajza e konfirmoi me kokë.