Debati i brendshëm që ka mbërthyer Partinë Demokratike ka lënë pezull një sërë procesesh që priteshin të përfundonin në selinë blu, pas një faze riorganizimi që kjo e fundit u përfshi pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit. Lulzim Basha u rikonfirmua në krye të PD për herë të tretë, proces që u pasua nga zgjedhja e Këshillit të ri Kombëtar, e më pas e kupolës drejtuese: Kryesia e re dhe 4 nënkryetarët. Por vendimi i kryedemokratit Lulzim Basha për të përjashtuar Sali Berishën nga grupi parlamentar më 9 shtator hoqi vëmendjen nga procesi i radhës në të cilin gjatë muajit të kaluar do të përfshihej baza e PD: zgjedhja e drejtuesve lokalë.

“Brenda datës 1 Shtator , Sekretariati Organizativ i Partisë i paraqet Kryesisë informacion të plotë për gjendjen dhe veprimtarinë e strukturave vendore të partisë, si dhe i propozon, sipas rastit, zgjedhje të reja në strukturat vendore të Partisë. I gjithë procesi i analizës dhe, aty ku është rasti, i ristrukturimit të organeve vendore të Partisë, përfundon brenda datës 30 Shtator 2021” thuhej në vendimin e marrë në qershor të këtij viti dhe që mban firmën e kryedemokratit Basha e Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhit.

Ky proces duket se do të bëhet akoma e më vështirë tashmë që vendimi për Berishën ka prekur edhe krerët e degëve, shumë prej të cilëve kanë dalë hapur në krah të tij duke kundërshtuar Lulzim Bashës, si kreu i degës së Fierit Luan Baçi, ai i Vlorës Genc Deromema, apo edhe Dashamir Aliko i Gjirokastrës. Kjo mund të jetë sfida e radhës e Lulzim Bashës, i cili teksa po përballet me kritika në selinë qendrore, do të duhet të mirëmendojë edhe drejtuesit në niveleve lokale të partisë për të patur në degë një PD të gatshme për zgjedhjet e ardhshme lokale.