Përhapja e shfrenuar e COVID-19 në shtetet baltike po vazhdon me shpejtësi, pavarësisht masave të reja të shëndetit publik, me numrin e infeksioneve të reja në Letoni dhe Estoni që ka arritur nivelin më të lartë që nga fillimi i pandemisë. Një arsye për rritjen e numrit të rasteve është shkalla e ulët e vaksinimit: vetëm rreth gjysma e popullsisë letoneze dhe estoneze është plotësisht e vaksinuar kundër koronavirusit të ri, deri më sot, kurse në Lituani shkalla e vaksinimit është pak më e lartë, rreth 60 për qind.
Letonia njoftoi se kishte regjistruar rreth 3 206 raste të reja, ndërsa në Estoni 2 025 raste janë identifikuar në 24 orët e fundit. Numri i të infektuarve vazhdon të rritet edhe në Lituani. Sipas autoriteteve kombëtare shëndetësore, rreth 1 737 infeksione të reja për 100 000 banorë janë regjistruar në Letoni gjatë 14 ditëve të fundit, 1 408 në Estoni dhe 1 365 në Lituani. Spitalet tashmë po arrijnë kapacitetin dhe mezi mund të përballojnë numrin në rritje të pranimeve me COVID-19.
Letonia madje ka bërë një kërkesë për ndihmë ndërkombëtare. Tre shtetet baltike kanë, aktualisht, shkallën më të lartë të infeksionit në Evropë, sipas Qendrës Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).