Nga Skënder Minxhozi/
Ka më shumë se një informacion, këto ditë kur PD ka hyrë në kursin e përplasjes publike Basha-Berisha, se ish-kryeministri mund të ketë bërë për vete shumicën e simpatizantëve, votuesve dhe anëtarëve të Partisë Demokratike. Prej vitesh Berisha ka pasur disa pikë preference më shumë sesa Lulzim Basha brenda të djathtës thuajse në të gjitha sondazhet, e kjo nuk shihej si diçka për të vënë kujen në PD, për sa kohë që kryetari formal i partisë konsiderohej pak a shumë si një noter i padeklaruar i linjës që përcaktonte paraardhësi i tij. Shpallja e Berishës non grata nga SHBA dhe largimi nga grupi parlamentar i PD në shtator, e prishën këtë paqe tetëvjeçare. Sot Berisha lajmëron datën e mbajtjes së kongresit të ndëshkimit të Lulzim Bashës pa u merakosur fare të paraqesë firma delegatësh, pa ndjekur asnjë procedurë normale sesi përgatitet dhe mbahet një kuvend partie. Ngjan më shumë si një purgë, sesa si një kongres.
Partia Demokratike, ajo pjesë që po ndjek këto orë turravrapin e Sali Berishës, ndodhet nën efektin e një hipnoze kolektive. Të asaj hipnoze që bazohet mbi premtimin fals se një rikthim i Doktorit vjen natyrshëm, pa asnjë pasojë në trupin e partisë, pa prekur apo prishur ekuilibrat delikatë mbi të cilat fitohet dhe mbahet përkrahja e votuesve dhe pa dëmtuar asnjë grimë nga imazhi i brendshëm dhe i jashtëm i PD. Me një lehtësi fluturake përkrahësit e Sali Berishës kanë vërshuar këto orë nëpër mediat shqiptare, për të përhapur “lajmin e mirë”: Po vjen lideri historik! Refuzojnë të shohin, të dëgjojnë dhe të kuptojnë se ajo që po ndodh është shumë më e koklavitur se një largim kryetari nga zyra e tij. Shumica dërrmuese e kësaj fanfare të eksituar lodrash e fyjesh, kërkojnë thjesht shpagim ndaj Lulit. Duan kokën e tij me çdo çmim. Dreqi ta marrë partinë, vetëm të heqim “patericën e Ramës”. Janë ish-zyrtarë që Basha i largoi gradualisht nga partia, të pakënaqur me të për njëmijë arsye, ose thjesht të zhgënjyer që i frikësohen qëndrimit të përjetshëm në opozitë, nëse Lulzim Basha vijon të qëndrojë aty ku është.
Sali Berisha po e përdor këtë humor negativ që rrethon sot postin e kryetarit të partisë. Është një depresion i lehtë për t’u instrumentalizuar, nën të cilin Doktori po kamuflon heshtjen e vet, fajet dhe hallet e veta. Në asnjë Foltore Berisha nuk është ndeshur dhe as i është përgjigjur pyetjes më të thjeshtë, por edhe më asgjesuese për fushatën e tij hipokrite të vlerave në parti: nëse nuk do të ishte përjashtuar nga grupi parlamentar në 9 shtator, a do të ishte sot në krye të Foltoreve për të hequr Bashën?! Kjo është kryepyetja që rrëzon sot moralisht rikthimin e Napoleonit të plakur blu, nga Elba e tij. Një rikthim antihistorik që paketohet si një betejë parimesh e procedurash, por që në fakt po afrohet nën tamtamin e revanshit në muret rrethuese të SHQUP-it. Sali Berisha mund të jetë sot shumicë në PD, por përkrahësit e tij duhet t’i përgjigjen dilemës nëse ai është, ose mund të bëhet në të ardhmen shumicë edhe në Shqipëri. Sepse të njëjta sondazhe që e kanë nxjerrë Sali Berishën si më të preferuar se Lulzim Bashën, thonë gjithashtu se ai është shumë pikë larg fitores së vendit të parë në preferencat politike të shqiptarëve. Berisha ka gjithçka për të qenë një përçarës perfekt i partisë që drejtoi për shumë vite, por nuk ka thuajse asnjë shans që të bindë shumicën e shqiptarëve të lodhur nga tranzicioni që ai më së pari e bëri të jetë pikërisht i tillë: i lodhshëm, plot tension dhe me pak shpresë.
Ringjitja e Berishës në PD megjithë festën e fishekzjarreve dhe brohorimave që e shoqërojnë, nuk e fsheh dot frikën se me të në krye partia mund të ketë një fund edhe më të keq sesa me Bashën. Dhe kësaj nuk ka Foltore t’i përgjigjet.