Lufta mes Bashës dhe Berishës është reflektuar edhe mes radhëve të demokratëve, ku ndryshe nga sa pretendojnë ‘babai dhe biri politik’, janë më të ndarë se kurrë në kampe krejtësisht të kundërta.
Një prej mbështetësve të”flaktë” në çdo kuptim, është edhe Sokrat Turtulli, i cili siç edhe ai vetë e pranon, ka votuar çdo gjë që ka kërkuar Sali Berisha, pa dëgjuar se cilit nen apo ligj i referohej për ndryshime në PD.
Ai vijonte që të mbështeste Lulzim Bashës, pasi si shumë kush besonte se pas vendimit të tij qëndronte Sali Berisha, por tani shpreh një pakënaqësi ndaj këtij të fundi, i cili pasi u përjashtua nga grupi i PD-së, doli menjëherë kundër tij dhe duke e kërcënuar madje se do i marrë vendin.
“Demokratë që janë gati të të shqyejnë nëse ke mendim ndryshe nga ata. Të shajnë, të fyejnë, të kërcënojnë nën moton për një parti më të hapur dhe për një bashkim. Bashkim? Po a mund të ketë bashkim me këtë mentalitet dhunues dhe kërcënues? Po si mund të jesh kaq anti-Bashist, kur vetëm para një muaji e mbanit në kurriz? Po si mund të jenë kaq të urryer ata që mbështesin atë që mbështetet dhe ju para një muaji?! Po çfarë është kjo “gjëmë o Pjetër” që po i ndodh partisë me emër demokratikeje?! Si përfunduam në këtë derexhe, ku armiku kryesor mbetet ai brenda partisë dhe që nesër pret të votoje dhe të bashkojë votën me ty”, shkruan ai.