Ole Gunar Solskjaer e kupton zhgënjimin e Doni van de Bekut për mungesën e minutave këtë sezon, por këmbëngul se nuk do lojtarë turivarur në skuadër. Mesfushori holandez, i cili u la për të dytën herë radhazi jashtë kombëtares nga trajneri Luis van Gal, reagoi duke flakur çamçakëzin në ndeshjen e fundit të klubit të tij, kur ai u la në stol gjatë gjithë 90 minutave kundër Vijarealit. 24- vjeçari ka nisur titullar vetëm dy ndeshje këtë sezon.
“Unë menaxhoj një skuadër plot kampionë, të cilët duan të luajnë, jo vetëm Doni, por të gjithë. Por nëse duam të jemi të suksesshëm së bashku, kemi nevojë për energji pozitive. Nuk duhet të kemi lojtarë turivarur në skuadër”, tha trajneri i Junajtidit në konferencën përpara ndeshjes së sotme me Evertonin. Norvegjezi i kërkoi skuadrës përqendrim maksimal dhe vazhdimësi ndaj rivalëve të sotëm, pas triumfit ndaj Vijarealit në Champions:
“Motivimi dhe energjia pas një fitoreje të tillë duhet të na ndihmojë për të nisur një seri pozitive rezultatesh. Ronaldo ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm si brenda ashtu edhe jashtë fushe. 5 gola në 5 ndeshje thonë gjithçka. Në moshën e tij është ende i fortë fizikisht.
Sigurisht që duhet ta menaxhojmë dhe sigurohemi që të ruajë formën. Ai është një shembull për të gjithë për mënyrën sesi përgatitet dhe e menaxhon veten. Ka pasur një muaj fantastik dhe shpresojmë që të vazhdojë sa më gjatë kështu”.