Dita e sotme në Budapest është një ndeshje e rëndësishme për rrugëtimin e Kombëtares Shqiptare në Botëror. Trajneri Edi Reja doli në një konferencë për shtyp ku tha se përballë kuqezinjve është një ekip i fortë, por kjo nuk do i ndalë ata për të mbajtur gjallë ëndrrën e madhe e për të dhënë maksimumin në fushë. Reja shtoi se çdo ndeshje për ta është një finale, madje ai thekson se nëse një skuadër humb qoftë edhe një ndeshje, mbetet jashtë kualifikimit.
“Për ne të gjitha janë një finale. Kush humbet një ndeshje është jashtë kualifikimit. E dimë forcën e Hungarisë, kemi një moment pozitiv dhe ne kemi ardhur këtu për të bërë një ndeshje të madhe. Ky është objektivi ynë dhe të marrim rezultat”, tha Reja.
Ende nuk janë vendosur formacionet, por trajneri tha se do t’i bëjë me dije ditën e nesërme pas stërvitjes së fundit.
“Kam disa dyshime, një trajner ka gjithmonë dyshime. E kam në kokë formacionin. Kam 24 lojtarë në dispozicion, kemi dhe një stërvitje të fundit për të bërë. Do të vendos nesër në mëngjes për formacionin. Kam dyshime, por duhet të shikoj gjendjen e lojtarëve dhe të zgjedh lojtarët me gjendjen më të mirë fizike. E rëndësishme është që ata që do të zbresin në fushë të japin maksimumin. Hungari është në gjendje shumë të mirë fizike”, vijoi Reja.
Duket se trajneri është përgatitur edhe mbi strategjitë që do të përdorë në fushë kundërshtari, pasi ai thotë se e di si do të luajë Hungaria.
“Duhet të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që do të na jepen dhe të jemi të aftë të ndryshojmë mënyrën e lojës duke i përshtatur kundërshtarit. Hungari do të jetë ndryshe nga ndeshja e parë. Duke njohur trajnerin e tyre italian, Rosi, kam një përshtypje për mënyrën se si do të luajnë. Do të përpiqen të marrin kontrollin e lojës dhe të na sulmojnë në fillim. Duhet të jemi gjithmonë gati dhe t’i përgjigjemi në mënyrën e duhur. Do të përpiqemi me lojtarët e shpejtë që kemi t’i godasim. Në qoftë duke na venë në presion, do të ketë momente ku ata mund të zhbalancohen dhe ne duhet t’i shfrytëzojmë këto momente”, tha Reja.