Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame i shoqëruar nga drejtoresha e DVASHK-së Ina Peleshka, kanë qenë sot në një takim me banorët e një pallati të braktisur nga investitori në Tiranë. Drejtoria vendore e ASHK-së ka pasur dy aplikime për finalizimin e legalizimit, një nga investitori dhe një nga banorët. Investitori ka dorëzuar aplikimin, por nuk i është përgjigjur Kadastrës brenda 30 ditëve për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm, duke i lindur e drejta drejtorisë që t’iu përgjigjej banorëve me aplikimin që ata kishin bërë vetë si grupim banorësh. Në këtë mënyrë falë bashkëpunimit mes banorëve dhe Kadastrës është finalizuar legalizimi i këtij pallati me 105 njësi (biznese dhe apartamente). Këtu Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame u ka kërkuar bashkëpunim këtyre qytetarëve që morën vendimin e legalizimit, të bëhen “zgjim” për ata banorë të cilët ende nuk kanë dorëzuar dokumentacionet e nevojshme për ta përfunduar si proces.
“Jemi në njësinë 2, pranë Qytet Studentit, në një zonë dendësisht të banuar, me shumë ndërtime të larta, por fatkeqësisht edhe me ndërtime të pa legalizuara. Pallatet në këtë zonë janë të 2 kategorive, përveç shtëpive të banimit, përveç vilave. Janë pallate tërësisht pa leje, por edhe pallatet që janë bërë me leje që janë e kanë shkelur lejen. Në rastin konkret jemi në variantin më të keq, që pallati është bërë tërësisht pa leje. Pallati është bërë në vitet 2009-2010-2011, ku ndërtuesi më pas heq dorë, dhe iu mbeti banorëve për t’u marrë me procedurat e gjetjes së dokumenteve. Rruga për legalizimin e këtyre pallateve, u hap vetëm pasi u bënë ndryshimet ligjore, kur procedurat iu kaluan Agjencisë Shtetërore të Kadastrës”, tha Lame duke kërkuar nga banorët e tjerë që të dorëzojnë dokumentacionet e nevojshme.
Investitori i ka nisur punimet e këtij pallati pa leje ndërtimi në vitin 2009 dhe e ka përfunduar në vitin 2012. Për 10 vjet banorët kanë qenë “pengu” i certifikatës së pronësisë.