Dikur në Kelmend i hapnin derën çdo miku. Derisa miqtë, sidomos të huaj u shtuan shumë. Të gjithë ishin kureshtarë për zonën, nga më të bukurat në Shqipëri. Miqtë priteshin e përcilleshin, si miq. Siç e donte tradita. Derisa një prift i mësoi vendasit që traditën ta kthenin në biznes. Kështu nisi historia e bujtinave të para të zonës, ku ndalonin turistët dhe paguanin çmime të lira për ushqim e dhomë.
Por siç tha prifti, njerëzit duhet të paguajnë për çfarë ju ofroni. Sepse ju duhet të jetoni. Dhe tradita nuk të ushqen. Por nëse tradita kthehet në biznes, jo vetëm të ushqen por dhe të pasuron. Ky është qëllimi i emisioneve të gazetares Rudina Xhunga, të promovoje traditën që kthehet në markë, në cdo qytet e fshat të Shqipërisë. Pas glikove të Përmetit, Dritare TV ishte këtë fundjavë në Kelmend.
Në ciklin e emisioneve “Shqipëria që prodhon”, gazetarja Rudina Xhunga në Tamarë , Te Cemi, tregoi për një traditë të vjetër të zonës, që tanimë është kthyer në markë. Dikur gratë bënin djathë të ziem, kur vinte miku në shtëpi, tani ato e gatuajnë në restorantet e zonës.
Vetëm kur kthehet në markë, një produkt mbijeton në të gjitha kohërat. Lindita Shabaj tregon për Rudinën, si bëhet djathi i ziem dhe si serviret:
“Djathi i ziem është traditë e jona. Tipike e zonës së Kelmendit. E kemi trashëguar brez pas brezi, prej shekujsh.
Djathin e ziem e gatuanim për miq të veçantë. Zakonisht në raste festash sepse kërkon jo vetëm kosto, por edhe kohë.
Duhet qumështi i lopës, i pa zier. Qumështi bëhet djathë. Dhe lihet në një dërrasë për 2-3 ditë të thahet në diell. Pasi qëndron në diell për disa ditë, pastaj gatuhet në tigan. Thërrmohet dhe gatuhet në zjarr dalëngadalë, derisa të shkrihet e zgjatet, kur e prek me lugë.
Serviret në pjata druri dhe shoqërohet me mjaltë lulesh Kelmendi”, – shpjegon Lindita, ndërsa Rudina shton: Epo mburren francezët për djathin në fund të ushqimit, ja Kelmendi, djathë me mjaltë ka pasur në shekuj! Dhe çfarë djathi!
Një tjetër produkt magjik i zonës është bari i zemrës, që gjendet vetëm në lartësinë e Bjeshkëve të Nemuna. Në ciklin e emisioneve “Shqipëria prodhon”, gazetarja Rudina Xhunga tregoi për këtë bimë të mrekullueshme bashkë me Dunin, burrneshën e fundit të Lëpushës.
“Kjo bimë mjekësore quhet sanza, në libra. Por është Gentiana, për shkak të mbretit Gent. Ushtarët mbretit Gent e pinin në formën e çajit, për t’u bërë më të fortë. Ne i themi edhe bar zemre. Pihet si çaj, por edhe me raki.
E marr rrënjën, e laj dhe e pres në disa copa. E ziej për 20/30 minuta dhe e pi. Unë konsumoj 3 gota në ditë. Mund ta konsumosh me mjaltë, me një lugë sheqer, ose shqeto. Mund ta përziesh edhe me çaj mali ose çajra të tjerë.
Kjo bimë nuk gjendet askund tjetër veçse në Kelmend, në një zonë në kufi me Dukagjinin. Mbillet nga dy burra të fshatit dhe unë e grumbulloj për ta shitur. Është e shtrenjtë, një kg shitet me 30/35 mijë lekë. Përdoret edhe në farmaci. Është ilaç për gjithë trupin. Për stomakun, rruazat e bardha, të kuqe, për bajamet, infeksionet në trup, temperaturë.
Rudina Xhunga: Një bimë magjike. Unë kisha kuriozitet pse quhet bar i zemrës. Dhe më thanë që ka lidhje me kolesterolin. Të pastron nga kolesteroli dhe nuk ke më sëmundje zemre pasi ke pirë këtë. Kjo nuk do të thotë që të mos dëgjoni mjekët. Kjo është diçka plus, nuk zëvendëson ilaçet. Por është e rrallë, e lashtë, që nga koha e mbretit Gent, nuk është vetëm në gojëdhëna, është edhe në libra. Ja çfarë shkruhet në to:
Është njohur që në kohën e vjetër si mjet që nxit dhe përmirëson funksionet tretëse të organizmit. Rrënjët e sanzës përmbajnë kryesisht substance glukozitike me shije të hidhur, në sajë të cilave përdoret edhe në mjekësi si mjet që shton sekretimin e lëngut gastrik dhe gjallëron veprimin e organizmit. Nxit shumëzimin e rruazave të kuqe dhe të bardha, duke bërë në këtë mënyrë vetëmbrojtjen e organizmit. Rekomandohet veçanërisht për sëmundjet e rënda”,- lexoi Rudina nga një libër i vitit ‘65, që Duni e ruante në shtëpi.
Duni është burrnesha e fundit e Lëpushës dhe gjithë zonës së Shkodrës. Ajo ka përveç bujtinës edhe dyqanin ku shet bimë mjekësore, ku kryesorja është bari i zemrës. I tharë gati për çaj, ose raki. Traditën e zonës, Duni e ka kthyer në biznes. Dhe nuk ka më mirë se të jetosh prej traditës. Ajo tashmë i ka të gjitha. Kërkon vetëm të promovohen bimët e saj.(dritare.net)