Sezoni turistik dhe heqja e kufizimeve të lëvizjes për qytetarët për shkak të pandemisë së shkaktuar nga virusi Sars-Cov-2, bënë që primet e shkruara bruto për sigurimin kufitar gjatë 8-muajve të parë të vitit 2021 të shënojnë rritje me 156.47 % krahasuar me periudhën janar-gusht 2020.

Sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) gjatë kësaj periudhe edhe numri i kontratave u rrit me 185.86%. Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë tetëmujorit të 2021, është 4.384.072, ose 2,5 herë më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Në tetëmujorin e 2021, vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka pasur rritjen më të madhe me 4,6 herë dhe Polonia me 3,9 herë, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Greqia me 9,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.