Në Gusht të këtij viti, Gjykata Supreme e SHBA-ve, rrëzoi një padi të studentëve të Universitetit të Indianës, të cilët kërkonin që të bllokohej politika e vaksinimit të detyrueshëm të Universitetit të tyre. Universiteti kërkonte që studentët duhet të vaksinoheshin kundër covid 19, për të ndjekur klasat e sezonit të vjeshtës. Kjo ishte prova e parë ligjore për vaksinimin e detyrueshëm kundër covid, pasi tetë studentë i kërkuan gjykatës një urdhër ndalimi emergjent, duke argumentuar se cënohej integriteti i tyre trupor dhe se rreziqet që lidhen me vaksinat ishin më të mëdha se përfitimet e mundshme për grupmoshën e tyre.

Por një gjykatës federal vendosi se shkolla kishte të drejtë të ndiqte “një proces të arsyeshëm dhe të rregullt të vaksinimit në interesin legjitim të shëndetit publik për studentët, fakultetin dhe stafin e tij”. Studentët kanë shumë opsione të tjera, tha gjyqtari, të tilla si aplikimi për përjashtime, anullimi i semestrit, shikimi i klasave në internet ose ndjekja e universiteteve të tjera.

Gjykata e Apelit të Shtatë të Qarkut të SHBA me qendër në Çikago, u pajtua me këtë vendim, ndërsa apeli i studentëve u zhvendos në Gjykatën Supreme. Gjykata e apelit vuri në dukje: “Çdo universitet mund të vendosë se çfarë është e nevojshme për t’i mbajtur studentët e tjerë të sigurt në një mjedis me grumbullim të madh. Ekzaminimet shëndetësore dhe vaksinimet kundër sëmundjeve të tjeraja në kërkesa të zakonshme të arsimit të lartë. Vaksinimi mbron jo vetëm personat e vaksinuar, por edhe ata që janë në kontakt me ta, dhe në një universitet, kontakti i ngushtë është i pashmangshëm”.

“Edhe një herë, gjykata ka afirmuar interesin tonë legjitim të shëndetit publik për të siguruar sigurinë e studentëve, fakultetit dhe stafit tonë dhe ne jemi të gëzuar për të mirëpritur komunitetin tonë përsëri për semestrin e vjeshtës,” tha zëdhënësi i Universitetit të Indianës, Chuck Carney në një email. Aktualisht më shumë se 700 universitete në SHBA e kanë bërë vaksinën të detyrueshme, mes tyre ai i Columbias, Harvard, Pricnetown, Standford, Yale, si një domosdoshmëri për të garantuar shëndetit e studentëve dhe stafit të tyre.