Louis van Gaal ka thënë se të huajt bëhen dash kurbani në Barcelonë kur gjërat shkojnë keq, derisa i doli në mbrojtje bashkatdhetarit të vet, Ronald Koeman.
Trajneri i Holandës Van Gaal e ka mbrojtur trajnerin e Barcelonës, Ronald Koeman, i cili po kritikohet për rezultatet dhe formën e dobët të katalonasve në një kohë krize në klub.
Van Gaal e di shumë mirë se si është të kritikohesh në Camp Nou dhe sipas tij Barcelona i fajëson të huajt kur gjërat shkojnë keq në ekip.
“Po përsëritet historia. Këto janë gjëra tipike që ndodhin në Barcelonë”, tha Van Gaal kur u pyet për kritikat që po iu bëhen Koemanit.
“Kur gjërat shkojnë mirë dhe ju jepni kontribut të rëndësishëm, siç ka bërë Frenkie de Jong në dy vitet e kaluara, atëherë nuk ka vend për brengosje”, theksoi ai.
“Por kur gjërat shkojnë keq, njerëzit në Barcelonë gjithmonë e drejtojnë gishtin kah të huajt. Në këtë rast, kah trajneri. Atë e këshilloj të mos i kushtoj vëmendje aspak kritikave”, shtoi ai.