Nga Ylli Pata
Sot Gjykata e Lartë e Kroacisë ka konfirmuar dënimin me 6 vite burg për ish-kryeministrin e vendit, Ivo Sanander, njëkohësisht lider i partisë së parë antikomuniste në vend HDZ(Lëvizja Demokratike e Kroacisë). Një zhvillim që i jep vendit përkatës, rajonit, por edhe Shqipërisë, një sinjal të rëndësishëm se sa vonë jemi ne në gjykimin e historisë traumatike të 30 vjetëve post komunizëm. Ka teoricienë optimistë si Henri Çili e liberal të tjerë si ai, që e konsiderojnë historinë 30 vjeçare të Shqipërisë një zhvillim ndryshimesh epokale, ku janë arritur vërtetë zhvillime cilësore, por që shumica jo vetëm tek ne por në të gjithë hapësirën ish-komuniste mendojnë se klasa që erdhi me kartën e ndryshimit, abuzoi aq rëndë sa u kthye në një oligarki miliardere. Rasti “Sanander” është fenomen, sidomos për Shqipërinë,
Kush është Sanaderi shqiptar? Sali Berisha? Fatos Nano? Ilir Meta? Jooo! Të gjithë e kanë kaluar këtë rast! Sali Berisha sot, thotë se është një njeri që jeton në një apartament të njëjtë me atë që ka pasur në komunizëm. Por të gjithë e dinë se nuk është ashtu. Madje rruga ku jeton ish- kryeministri, që është sot rruga më glamur e jetës së shtrenjtë në Tiranë, quhet si “rruga e Salës”. Djali i zotit Berisha është mjaft i pasur, pasi ka biznese agropërpunuese dhe mediatike.
Vajza dhe familja e saj janë përveç të tjerash zotërues së komplekseve rezidenciale shumë të pasura të kryeqytetit. A ka pasur një hetim apo investigim për Sali Berishën në këto vite? Po flasim për pasurinë e jo për skandalet si Gërdeci apo 21 janari etj etj? Jo! Po Ilir Meta? Ku jeton Presidenti, kryeministri, kryetari i Parlamentit, njeriu që ka pasur të gjitha postet e larta të vendit. Cila është pasuria e tij. Po Fatos Nano? Pandeli Majko? Edi Rama?! Ndërkohë që homologu i Sali Berishës në Kroaci nuk është Sananderi, por Franjo Tuxhman, i cili ka kohë që ka ikur nga kjo botë, analistë të njohur në vend, ende e sjellin dokorin si shpresë për të ndryshuar vendin? E ekzagjeruar? Fatos Lubonja, tha sot se Sali Berisha është njeriu që do të përmbysë oligarkinë në vend, pasi dihet që është mbështetës i tij që nga 21 janari 2011. Kurse Artur Zheji, i cili mbështet Bashën kundër Berishës, tha se doktori pas rrëzimit të komunizmit, ishte një “vaksinë e mirë” për të ndryshuar. Berisha vaksinë?
Ndoshta Zheji ka parasysh shiringat, pasi Shqipëria ishte vendi i parë Ballkanik që u kthye në përdorusin më të madh të heroinës në vitin 1993. Është fakt në raportin e OKB. Pra një vit pasi Sali Berisha u bë President. Megjithatë kjo është histori, pasi po flasim për një zhvillim actual siç është rasti i përplasjes me Bashën. Nëse i gjithë debati i sotëm që po zhvillohet në Partinë Demokratike, do të zhvillohej në vitin 2013, kur Sali Berisha dha dorëheqjen formalisht dhe Lulzim Basha u bë kryetar de jure, procesi mund të kryhej minimalisht brenda 2 vjetësh, e maksimalisht brenda 4 vitesh.
Bëhet fjalë për një “revolucion” politik brenda opozitës, ku Sali Berisha edhe pse lider historik, do të ishte një politikan ndikues natyrisht, por jo përcaktues siç ndodhi gjithë këto vite. Nëse PD-ja do të zhvillonte këtë proces “larje hesapesh” siç po tentohet të bëhet sot, atëherë brenda një kohe jo shumë të gjatë, opozita do të ishte gati për tu përë alternativë, pas një katarsisi natyrisht jo perfekt brenda radhëve të saj. Por pas humbjes së zgjedhjeve të 2013-s PD-ja e Lulzim Bashës ka folur e ka kërkuar një revolucion për të rrëzuar Edi Ramën, pa e bërë realisht revolucionin brenda vetes. E në politikë, dialektika është rregulli përcaktues, siç janë aksiomat për matematikën.
Sot, Berisha kërkon rrëzimin e Lulzim Bashës, si shans për të fituar ndaj Edi Ramës. Ja e rrëzoi Sali Berisha Bashën, por me kë do të fitojë ndaj Edi Ramës? Me imazhin e njeriut të 30 vjetëve në pushtet e të ndëshkuar nga SHBA? Nëse PD nuk ka arritur të fitojë besimin e asaj që quhet elektorati gri, e ka pasur prej Berishës, një reminishencë që nga 1997. Fitoi në vitin 2005? Në fakt nuk fitoi, por ju dha një mundësi për të qeverisur, të cilin Sali Berisha e shfrytëzoi për të përsëritur skemën e mandatit të parë.
Edhe pse mori edhe mandatin e tretë, ai ishte varri politik i Sali Berishës. Nuk ka më mundësi reale që ai të vijë në pushtet. Lulzim Basha është dëshmitar që nuk ka arritur të shkojë asnjë centimetër më shumë se vullneti militancës. Këtë fakt e di çdo militant i së djathtës që sot ka pakënaqësi për Bashën, por mundësia mediatike nuk i jep një shans tjetër përveç me doktorin apo me Lulin. Një zhvllim që merr spunto pikërisht nga vonesa e revolucionit politik brenda PD-së, që natyrisht nuk mund të konsiderojë doktorin si Napolonin siç e propogandon Fahri Balliu. Bonaparti mbretëroi vetëm 10 vjet, vetëm 10 vjet e ca muaj plus Waterlo-në. Realisht, më shumë se një revolucion, opozita ka nevojë për një evolucion politik, i cili duhet të marrë shkas pikërisht nga rasti i Ivo Sanader…