Georginio Wijnaldum e ka pranuar se nuk është plotësisht i lumtur në Paris Saint-Germain, pas një fillimi të vështirë të jetës në Francë.PSG-ja e mori Wijnaldumin si lojtar të lirë verën që shkoi, pasi holandezi u largua nga Liverpooli.
Mesfushori holandez kishte luajtur rol kyç në ekipin e Liverpoolit që e arriti lavdinë në Ligën e Kampionëve dhe në Premierligë nën udhëheqjen e Jurgen Kloppit. Por ai nuk ka qenë në gjendje të zërë vend në Parc des Princes në fillim të sezonit 2021/22.
Ai ka folur haptazi për jetën e re në Paris, duke treguar se është i pakënaqur. “Nuk mund të them se jam plotësisht i lumtur”, tha Wijnaldum para ndeshjes së Holandës kundër Gjibraltarit të hënën.
“Kjo gjendja nuk është ajo që unë doja. Në vitet e fundit kam luajtur shumë, gjithmonë kam qenë në gjendje të mirë fizike dhe kondicionale dhe kam luajtur mirë. Kjo është diçka ndryshe dhe duhet kohë për t’u mësuar me këtë. Mezi prisja ta bëja këtë hapin e ri dhe pastaj ndodhi kjo. Është shumë e vështirë”, theksoi ai.
“Ky është futbolli dhe unë duhet të mësohem ta përballoj këtë. Unë jam luftëtar. Duhet të punoj zellshëm”, shtoi ai. Wijnaldum i ka bërë 11 paraqitje për PSG-në në të gjitha garat deri tani, por ende nuk ka bërë gol apo asist.