Tirana ka mbledhur rreth 200 pjesëmarrës nga 6 vende të Ballkanit në konkursin më të madh të sipërmarrësve, TechStars Startup Weekend, ku vendi i parë do të mund të fitojë 25 000 euro. Gjatë sfidës 3-ditore, mentorët dhe ekspertët që përfaqësojnë disa nga kampionët e industrisë do të mbështesin sipërmarrësit e rinj për të ndërtuar zgjidhje dhe për të bashkëpunuar në një mjedis konstruktiv.
Arjan Ymeri, drejtori ekzekutiv i Oficina Albania, që organizon dhe këtë aktivitet ndërkombëtar, inkurajoi të rinjtë për të punuar për realizimin ideve të tyre në hapjen e startua-eve të reja, gjë që do të sjellë dhe një rritje të mobilitetit. “Gjëja që ne përpiqemi të bëjmë të gjithë bashkë është t’i bëjmë njerëzit të kuptojnë që një nga efektet kryesore të start up është të rrisë mobilitetin. Ju inkurajoj që të mendoni duke filluar nga kjo fundjavë për të sjellë më shumë përfitime për veten tuaj, për shokët dhe sigurisht për vendin tuaj ku jeni”, tha Ymeri, teksa shprehu bindjen se shumë prej pjesëmarrësve do të mund të gjejnë mbështetje nga partnerë për financimin e ideve të tyre.
Në fjalën e hapjes së këtij aktiviteti, përfaqësuesja Zyrës së BERZH-it në Shqipëri, Ekaterina Solovova u shpreh se një program i tillë do të ndihmojë sipërmarrjet të zhvillojnë idetë e tyre. “Unë mendoj se këto lloj aktivitetesh krijojnë mundësi bashkëpunimi dhe lidhjesh mes sipërmarrësve të rinj, përmes një ekspertize, ndërlokale dhe ndërkombëtare dhe ndoshta edhe një akses drejt fondeve dhe tregjeve ndërkombëtare. Jam krenare sot që them se lançuam një program që ndihmon sipërmarrjet dhe bizneset të zhvillojnë idetë e tyre, çka është e mrekullueshme. Programi është ideuar për të mbështetur kompanitë, me gjithë mbështetjen për të cilën keni nevojë, pra në aftësimin e ideve tuaja, për t’u zhvilluar dhe mundësisht në gjetjen e financimeve. Ndoshta jo të gjithë prej jush do kenë mundësi ta bëjnë këtë, por gjithsesi do keni mbështetjen e duhur për të tentuar. Qëllimi i këtij programi është identifikimi i potencialeve të bizneseve të ndryshme dhe mobilizimi i ekspertizës globale në aftësimin e tyre. Ne ofrojmë ekspertizë teknike, mentorship , këshillim lokal dhe ekspertizë të zhvillimit të strategjive të biznesit”, theksoi Ekaterina Solovova.
Uranik Begu, Drejtor Ekzekutiv i Innovation Center Kosovo nënvizoi se qëllimi i kësaj iniciative është të afrojë komunitet mes tyre me qëllim shfrytëzimin sa më të mirë të potencialeve që gjithsecili ka. “Qëllimi ynë është pikërisht ky: Të afrojmë komunitetet mes tyre dhe të mundohemi të ndihmojmë njeri-tjetrin dhe të përpiqemi të përdorim në mënyrën më të mirë potencialet tona. Ndaj, e kam shumë për zemër këtë lloj bashkëpunimi dhe kjo është arsyeja pse ndodhemi këtu sot, për të mbështetur realisht “Ofiçinën” në këtë kompeticion dhe që me shpresë do të bëjë rrugëtimin e tij edhe në vende të tjera, ku ju do keni mundësi të merrni pjesë”, deklaroi Begu.
Aktiviteti është pjesë e sfidës globale të TechStars Startup Weekend, e krijuar për të ndihmuar pjesëmarrësit të ndërtojnë një komunitet, të ndajnë idetë, të bashkëpunojnë dhe të përmirësojnë aftësitë e tyre përmes angazhimit të liderëve të industrisë.
Ndërkaq, dy mentoret Kateryna Degtyar nga Ukraina dhe Lela Anastasova nga Maqedonia sollën eksperiencat e tyre në ngritjen në ngritjen dhe zhvillimin e sipërmarrjeve të reja.
Techstars Startup Weekends Balkans ka mbështetës kryesor Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe organizohet nga Solveo Macedonia, ICT Hub Serbia, Innovation Centre Kosovo,Tehnopolis Montenegro, HUB 387 Bosnia, Oficina and Balkans Capital nga Shqipëria.