Histori suksesi e ka konsideruar kreu i Policisë së Shtetit, Gledis Nano punën e kryer nga Forcat RENEA përgjatë këtyre 30 viteve. Në aktivitetin e mbajtur për 30-vjetorin e krijimit të repartit special RENEA, Nano u shpreh se përtej operacioneve të suksesshme të kryera, janë 5 efektivë që kanë humbur jetën, tashmë të shpallur “Dëshmorë të Atdheut”, ndërsa 18 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
“RENEA histori suksesi. Në këto operacione të vështira, kemi patur veç suksesit edhe humbje të efektivëve. Kanë humbur jetën 5 punonjës që janë shpallur dëshmorë të atdheut dhe janë plagosur 18 të tjerë, duke u përballur me keqbërësit. Luan Haxhia, Lulzim Sulullari, Arben Ujka, Elham Elezi dhe Ibrahim Basha që janë memorizuar përjetësisht duke u gdhendur në altarin e kombit”, tha Nano
Ai thekson se misioni i RENEA do të mbetet mbrojtja e jetës dhe pronës së qytetarëve, në çdo rrethanë.
“Misioni i këtij reparti mbetet shërbimi maksimal dhe me vetëmohim për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve në çdo rrethanë. Në operacionet e kërkim-shpëtimit ndaj tyre janë shpëtuar me qindra jetë në rastet e fatkeqësive natyrore. Historia dhe misioni i RENEA ka vetëm një mesazh, ne jemi në shërbimin tuaj në çdo kohë, duke mbrojtur jetën me jetë”, shtoi ai.