Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka mbledhur përfaqësues të shtetit shqiptar që kanë punuar dhe kontribuuar në Reformën në Drejtësi sot.
Në një postim në Twitter, ambasada e SHBA-së ka bërë një përmbledhje të 5 viteve të kësaj reforme, duke theksuar se paketa legjislative, duke përfshirë ndryshime të rëndësishme kushtetuese, shënoi një pikënisje për progresin drejt kësaj reforme.
Sipas ambasadës, reforma në drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë apo e përsosur dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara është mirënjohëse për ata që e kanë sjellë Shqipërinë deri këtu.
“Me mbylljen e vitit 2021, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë hedh një vështrim mbi progresin që ka bërë Shqipëria gjatë pesë viteve të para të Reformës në Drejtësi. Progresi nuk duhet të matet vetëm nga distanca deri në destinacion, progresi duhet të matet edhe nga sa larg kemi arritur në udhëtim. Paketa legjislative, duke përfshirë ndryshime të rëndësishme kushtetuese, shënoi një pikënisje për matjen e këtij progresi. Si një reformë gjithëpërfshirëse, Shqipëria zgjodhi të ndërmerrte një plan tërësor për të rivlerësuar integritetin dhe profesionalizmin e anëtarëve të sistemit të drejtësisë dhe promovimin e një kulture të re nëpërmjet ndryshimit të strukturës së institucioneve të drejtësisë nëpërmjet depolitizimit dhe decentralizimit. Përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA u mblodhën së fundmi me disa nga individët e shumtë që punojnë pa u lodhur, çdo ditë, për të zbatuar këto koncepte dhe për ta bërë reformën në drejtësi një sukses. Reforma në drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë apo e përsosur dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara është mirënjohëse për ata që e kanë sjellë Shqipërinë deri këtu”, njofton ambasada.
Kujtojmë se Reforma në Drejtësi u miratua në korrik të vitit 2016 me 140 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim.