Nga Pajtim Bello/Ish-kryeministri Sali Berisha në 19 dhjetor, nga Foltorja në Librazhd, zhvarrosi Azem Hajdarin, jo për ta rivrarë por për të poshtëruar. Do ta përdorë Azemin që ti pastrojë pisllëkun e haureve të tij. Makiavelist tipik, vë nën këmbë gjithçka vetëm e vetëm të plotësojë interesat e veta. Nga foltorja në foltore Saliu ka shpalosur dinakërinë, intrigën, mashtrimin dhe cinizmin pa kursyer asgjë dhe askënd. Por nga Foltorja në Librazhd arriti kulmin me deklaratën:”..Dua t’ju informoj se në Kuvendin e 11 dhjetorit, themeluesi i PD Azem Hajdari do shpallet President Nderi i përjetshëm i kësaj partie.” Shpirti i Azemit e di si duron këtë poshtërim të radhës.
Në PD, por jo vetëm, e dinë shumë mirë sjelljen e Sali Berishës ndaj Azem Hajdarit. E vërteta është se marrëdhëniet mes Azemit dhe Saliut ka përjetuar më shumë dimër dhe acar se sa diell e behar. Sa për të gërvishtur memorien e lexuesit po sjellim në kujtesë disa momente. Sali Berisha, në vitin 1990 kur u themelua PD, e përdori Azemin si mashë për të marrë kreun e PD-së. Azemi për të keqen e tij, të PD dhe të Shqipërisë e realizoi këtë mision. Me ardhjen në pushtet të PD Azem Hajdari është përgjuar e sulmuar vazhdimisht nga struktura shtetërore dhe nga struktura okulte, që dihet se punonin për llogari të Sali Berishës.
Në vitet 1996-1997 Gazeta Rilindja Demokratike, organ zyrtar i PD-së, ka sulmuar ashpër Azem Hajdarin. E quajtën Azemin njeri pijanec, ish sigurims dhe vegël të Ramis Alisë. Sali Berisha, në 9 janar të vitit 1997, urdhëroi përjashtimin e Azem Hajdarit nga Grupi Parlamentar Demokrat dhe të gjitha strukturat e PD-së; kur më parë e kishin çmobilizuar nga posti i Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Rendit e SHIK-ut dhe nga Këshilli Kombëtar i PD-së. Sipas dëshmive të njerëzve pranë tij më 12 shtator 1998 e nxorri Azemin në pritë dhe vrasjen e tij e përdori për grushtin e shtetit të 14 shtatorit 1998. Saliu herë pas here, në çdo përvjetor të lindjes apo përkujtimore të vrasjes së Azemit, ka derdhur lot krokodili për humbjen e tij. Tashmë Sali Berisha i bën thirrje Azem Hajdarit, edhe pse ky i vrarë, që ta ndihmojë. Cinizëm 24 karatsh, kërkon që ti pastrojë baltën e pështymën që, me mllef e pa kursim, ia hodhi në fytyrë para 23 vitesh. Deviza e Saliu është “qëllimi justifikon mjetin”, kështu që po rikthehet tek Azemi i vrarë që ta poshtërojë përsëri.
Më këtë gur vret dy apo më shumë zogj. Kërkon të sigurojë mbështetësit se kuvendi do të mbahet në 11 dhjetor. E vë vehten mbi të gjithë në PD sepse ndryshe nga cili pzicion e bën fakt që Kuvendi i 11 dhjetorit 2021 do ta shpallë Azemin President Nderi të përjetshëm?! Pra Saliu është supermeni që të gropos dhe të bën hero! Ndërkohë me këtë deklaratë kërkon të tërheqi në aventurën e vet mbështetësit e Azem Hajdarit.
Duket se Ai nuk e ka harruar deklaratën e Shoqatës “Azem Hajdari” që në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit 2013 ishte shprehur se Sali Berisha… e ka kthyer PD në strehë dhe pronë të komunistëve… PD komandohet dhe përdoret privatisht prej Berishës dhe familjes së tij biologjike, prej klaneve brenda pushtetit e PD, prej rrjetës nepotike të Sali Berishës. Nëse ka ndonjë prej themeluesve të PD që është linçuar poshtërsisht prej Sali Berishës, ky është Azem Hajdari. Edhe vepra floriri në bëft për Azemin, Saliu nuk lahet kurrë me Të, për ato poshtërsi që ai i ka bërë atij. E vetmja që të vjen ndër mend është pyetja:”A do të jetë ky poshtërimi i fundit që Sali Berisha po i bën Azem Hajdarit?!”. Besoj se jo. Shpresoj se kësaj radhe edhe demokratët nuk do ti besojnë më mashtrimit të tij.