Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken ka shprehur ngushëllimet për humbjen tragjike të jetëve në aksidentin e sotëm në Bullgari.

Blinken me anë të një postimi në Twitter shprehu ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave që janë në zi dhe iu ka uruar shërim të shpejtë të lënduarve.

“Departamenti i Shtetit dhe Populli Amerikan shpreh ngushëllimet tona të thella për popullin e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për humbjen tragjike të jetëve në aksidentin e sotëm të autobusit dhe zjarrin në shtëpinë e të moshuarve. Zemra jonë është për të gjithë ata që janë në zi, ndërsa të lënduarve u urojmë shërim të shpejtë”– shkuan ai.

Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur, të martën, tri ditë zie kombëtare pas aksidentit me autobus në Bullgari, që la të vdekur të paktën 46 persona. Zyrtarët thanë se aksidenti ndodhi në një autostradë në perëndim të Bullgarisë, ku një autobus me 53 pasagjerë, shumica nga Maqedonia e Veriut, u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme.

Në mesin e viktimave ka edhe të paktën 12 fëmijë. Një zyrtar nga spitali në Sofje ka thënë se shtatë persona janë duke u trajtuar, të cilët kanë arritur të largohen nga autobusi dhe gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar.

Sipas zyrtarëve maqedonas, shumica e viktimave ishin nga Shkupi dhe ishin duke u kthyer nga Stambolli i Turqisë, ku kishin qëndruar në një vizitë treditore. Aksidenti ka ndodhur në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes.

Autobusi që shkaktoi aksidentin është në pronësi të agjencisë turistike ‘Besa Trans’, e cila sipas Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë së Veriut, ka pasur licencë të rregullt për transport ndërkombëtar, por Inspektorati Shtetëror për Transport ka bërë të ditur se ndaj kësaj kompanie gjatë këtij viti janë ngritur katër padi për mosrespektimin të protokolleve kundër COVID-19.