Lucia Nadin, albanologe veneciane prej më shumë se dy dekadash po punon në kërkim të historisë mesjetare të arbëreshëve. E lidhur ngushtë me Shqipërinë dhe albanologët e saj, ajo ka kaluar një periudhë të gjatë mësimdhënieje dhe pune kërkimore në vendin tonë.
Ndër veprat e saj të shumta për historinë dhe gjuhën shqipe vlen të përmendet botimi i “Statuteve të Shkodrës” që ka nxjerrë në dritë tekstin nga Biblioteka e Muzeut të Venecias: një “monument” i historisë mesjetare të Shqipërisë.
Në studimet e saj prof.Nadin ka rindërtuar dukurinë e emigrimit shqiptar në krahinën e Venetos mes shekujve XV e XVI në librin “Shqiptarët në Venedik, mërgim e integrim 1479 – 1552”. Ka studiuar traditën ikonografike të Skënderbeut në anijen e dukëve të Venecias, të famshmen Bucintoro. Ajo ka bërë kërkime edhe mbi mërgimin e klerikëve katolikë në tokat e Republikës së Përndritur mes shekujve XV dhe XVI, në lidhje me porositjen e veprave të artit., etj.
Figura e Skënderbeut në jetën kulturore dhe artistike të Venedikut (nga historia te miti: shekujt XV-XVIII)” është vepra më e fundit e albanologes Lucia Nadin, nominuar për çmimin shkencor ndërkombëtar për studime shqiptare “Trinia e albanologjisë: Meyer-Pedersen-Jokl” nga Akademia e Shkencave.
Në Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike që do të mbahet deri më 27 nëntor prof. Lucia Nadin ka prezantuar temën “Venecia dhe Shqipëria: bilanci i studimeve dhe rrugët e kërkimit në të ardhmen”.
“Për sa i përket historisë së vonë mesjetare të Shqipërisë dhe lidhjeve të saj me Republikën e Venedikut, rikthimi i Statuti di Scutari (Statuteve të Shkodrës) ka krijuar perspektiva të reja në aspektin e Shqipërisë bregdetare, brenda një sistemi Adriatiko-Joniano-Mesdhetar dhe rrjedhimisht edhe europian. Ky sistem do të duhet të studiohet në thellësi, me hulumtime krahasuese ndërmjet qyteteve bregdetare lindore dhe perëndimore të “Gjirit të Venedikut”, si dhe mbi qytetet e ndryshme të atij “Komonuelthi të Venedikut” pjesë e të cilit u bë edhe Shqipëria bregdetare.”, tha Lucia Nadin.
Ajo theksoi se studimi i diasporës shqiptare mbi tokat e Serenissima-s, pas vdekjes së Skënderbeut, transferimi i Shkodrës pas dy rrethimesh historike dhe humbja e Durrësit, ka hapur skenarë të gjerë, duke treguar tipare të ndryshme nga diaspora në jug të Italisë. “Dorëshkrimi i sapogjetur, De obsidione scodrensi i Marino Barlezio, do të çojë në përfundime të reja, edhe në krahasimi me tekstet e Marino Becichemo-s, për të cilin ne ndiejmë keqardhje për mungesën e studimeve.
Hulumtimi mbi Mesharin e Gjon Buzukut ka konfirmuar botimin e tij në një shtëpi botuese në Venedik dhe audiencën e synuar: emigrantët shqiptarë.
Hulumtimi është i hapur në arkiva të dioqezave të ndryshme për të kuptuar kriteret, sigurisht jo rastësore, të shpërndarjes së emigrantëve fetarë, që shpesh porositnin vepra arti.
Dy ikonat e Skënderbeut dhe Shkodrës u bënë pjesë e miteve vetëkremtuese të Venedikut: shfaqja e tyre e pashembullt në dramë, letërsi dhe art ka dëshmuar gjallërinë e tyre gjatë shekujve, gjithmonë të ripërtërirë gjatë zhvillimit të historisë së Republikës dhe përtej. Edhe në këtë rast, kjo thekson nevojën për hulumtim të mëtejshëm.”, tha prof. Nadin.