Nga Anila Dedaj
Mark Shllaku ishte një mësues në Shkodër në vitet 1940-1949. Ai iu bashkua intelektualëve shkodranë të angazhuar në Partinë socialdemokrate të Musine Kokalarit. Faji i vetëm i tij dhe i grupit ku bënte pjesë, ishte kërkesa për respektimin e lirisë dhe të drejtave të njeriut. Por si shumë të tjerë, ai u cilësua armik i popullit dhe u dënua me pushkatim.

E bija Luli, ishte në atë kohë vetëm tetë vjeç. Do të shoqëronte të ëmën Angjen në takimin e fundit me babain. Nuk e harroi kurrë atë ditë as bisedën e porositë e fundit të babait para ekzekutimit. Ishte fjala për disa letra të fshehura në sendet e tij personale, të cilat do ti ktheheshin familjes pas pushkatimit. I kish shkruar amanetet e fundit në letrat e paketave të cigares që pinte pandalur deri në minutat e fundit para ekzekutimit, më 31 tetor të vitit 1949.

Menjëherë sa mori letrat në dorë, nëna e Julit, Angjia nisi kërkimet për trupin e bashkëshortit të pushkatuar, në përpjekje për të çuar në vend amanetin e shkruar në këto letra.
Kalvari i vuajtjeve nuk kishte përfunduar sepse Angjia dhe fëmijët e saj do të përballeshin me grabitjen e pasurisë dhe persekutimin e vazhdueshëm në diktaturë.

Juli bashkë me nënën dhe motrën më të vogël, vazhduan jetën e vështirë si familje e “armikut të popullit”. Pavarësisht vuajtjeve dhe mundimeve nuk i harruan amanetet, sidomos njërin prej tyre që do të mbetej brenga e përjetshme e Julit.

Juli jetoi 73 vjet me shpresë se një ditë do ta gjente trupin e zhdukur të të atit… Askush nuk iu përgjigj pyetjeve të saj të përsëritura: Ku është fshehur trupi i tim eti, të ekzekutuar padrejtësisht nga diktatura? …Cilat janë arsyet që kanë penguar institucionet shqiptare që ta kërkojnë varrin e të tij e të rreth 6 mijë personave të zhdukur gjatë diktaturës? Për cilat arsye është mbajtur peng, e pas 30 vitesh nuk ka nisur kërkimi për të zhdukurit gjatë diktaturës komuniste?

Juli Dukagjini u nda nga jeta në gusht të këtij viti në moshën 81 vjeçare. U largua me brengën e madhe për babain e zhdukur, u largua pa marrë asnjë përgjigje.