Një media britanike e ka ricikluar sërisht historinë e vjetër, për azilkërkuesit që mbërrijnë ilegalisht në brigjet e tyre, me mundësinë për tu strehuar më pas në Shqipëri. Ambasadori ynë në Londër Qirjako Qirko, ka përgënjeshtruar qartë dhe prerë lajmin se vendi ynë mund të mbajë emigrantë nga Britania e Madhe, ndërkohë që do të jetë duke u shqyrtuar kërkesa e tyre për azil. Ai e ka cilësuar këtë fakt si “krejtësisht të papranueshëm”, që “nuk do të ndodhë kurrë” dhe në kundërshtim flagarant me ligjin ndërkombëtar.
Lajmi këtë radhë u botua nga The Times, pasi zv. kryeministri dhe Sekretari për Drejtësinë i qeverisë britanike Dominic Raab, nuk e mohoi se ministrat e tyre shpresojnë të arrijnë një marrëveshje për këtë çështje. “Ne po shikojmë mundësinë t’i drejtohemi partnerëve ndërkombëtarë që ta çojmë procesin jashtë Mbretërisë së Bashkuar”,- tha ai për Radio Times pas një njoftimi në The Times se po zhvillohen diskutimet për të larguar emigrantët brenda 7 ditëve pas mbërritjes së tyre në brigjet britanike.
Ambasadori shqiptar tha se raportimi që e përmend Shqipërinë si mundësi, ishte “100% i rremë”, duke shtuar se: “Edhe për shkak të formimit tim akademik, e njoh shumë mirë konventën për azilkërkuesit dhe e di fare mirë sesi janë rregullat. Ne nuk do ta bënim kurrë diçka të tillë me emigrantët, sepse përveç të tjerash, kjo është në kundërshtim të plotë me ligjin ndërkombëtar”.
Sipas artikullit të The Times, një ministër britanik shpreson në sigurimin e një marrëveshjeje me Shqipërinë, duke thënë se shanset për këtë “duken të mira”. Raab i tha “Sky News” se qeveria po mundohet të ndalojë kalimin e njerzve përmes Kanalit të La Manshit me varka. “Kemi parandaluar 19,000 kalime vetëm këtë vit dhe siguruar 65 ndjekje penale për bandat kriminale, të cilat përfitojnë nga kjo tregti fatkeqe”,- tha ai.
Zyrtarët kanë llogaritur se vendi pritës do të përfitojë 100,000 £ për çdo emigrant, përfshirë fluturimin me avion dhe akomodimin. Kjo shumë është sa dyfishi i asaj që i kushton mbajtja e tyre si të burgosur në Angli apo Uells. Në artikull pretendohet se kanë kontaktuar zyrtarët shqiptarë në Londër, të cilët nuk i kanë mohuar bisedimet jozyrtare me ministrat e tyre sa i përket këtij plani. Por z. Qirko u tregua kategorik: “Kjo nuk është e vërtetë. Është thjeshtë e papranueshme, jo reale dhe totalisht e rremë.”
Tirana zyrtare reagoi me zemërim ndaj këtij raportimi mediatik. Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka publikoi në Twitter një imazh të faqes së parë të gazetës The Times dhe shkroi: “I njëjti lajm i vjetër e i rremë, këtë herë në faqe të parë të një gazete të respektueshme si The Times! Dhe meqe ra fjala, unë nuk jam “ai” por “ajo”, e cila gjithmonë ka admiruar kualitetin e medias britanike. E trishtueshme.”
Ambasadori shqiptar sqaroi se “në Shqipëri ka 3000 iranianë që i mbështesim prej 10 vitesh. Ka 4000 persona nga Afganistani- ish politikanë, ish-profesorë- të cilët po strehohen si refugjatë dhe jo në kampe, sepse ata ishin aleatët tanë në Afganistan. Në një letër drejtuar The Times Qirko shkroi: “Mund të konfirmoj me vendosmëri se nuk ka bisedime dypalëshe mes zyrtarëve të qeverisë shqiptare dhe asaj britanike, në lidhje me qendrat e procedimit të emigrantëve të paligjshëm që kalojnë Kanalin Anglez”.