Daniel Lohrer nga aleanca, “Ne vazhdojmë ndryshimin”, fituesja e zgjedhjeve në Bullgari, deklaroi se nuk është reale të pritet që deri në 14 dhjetor do të ketë marrëveshje me Shkupin për çështjet kontestuese dhe heqjen e vetos bullgare që po bllokon nisjen jo vetëm nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në, por edhe ato të Shqipërisë.
“Ne vazhdojmë ndryshimin”, doli e para në zgjedhjet e përgjithshme të 14 nëntorit dhe pritet të formojë qeverinë e re, në koalicion me tri parti tjera. Lohrer, i cili konsiderohet si kandidati më serioz për ministër të Jashtëm në Qeverinë e re, i ka thënë radios bullgare, BTV se “nëse mbetet vetëm historia për të lëvizur negociatat mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, nuk mund të pritet rezultat mjaft i mirë për të dyja palët”.
Dallimet për gjuhën maqedonase, identitetin dhe të kaluarën historike, por edhe të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, janë çështjet për të cilat duhet gjetur zgjidhje, në mënyrë që Sofja të heqë veton për Shkupin, të cilën e ka vendosur në nëntor të vitit 2020.
“Rruga, jo vetëm e Maqedonisë së Veriut, por edhe e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, është në BE dhe Bullgaria do të donte që kur Maqedonia e Veriut të hynte në atë proces, kjo gjë të ndodhë pa shkelur të drejtat e bullgarëve që jetojnë në atë vend” deklaroi Lohrer, kandidat i mundshëm për shefin e diplomacisë në ekzekutivin e ri bullgar.
Megjithatë, ministri i jashtëm maqedonas Bujar Osmani, thotë se Shkupi ende beson që deri në dhjetor mes dy vendeve mund të ketë përparim dhe zhbllokim të procesit të integrimit. “Dhjetorin e shohim si një dritare të mirë, si mundësi dhe nevojë për të përqendruar të gjithë energjinë e brendshme, rajonale dhe evropiane për të shfrytëzuar këtë mundësi, e cila është shumë e rëndësishme, jo vetëm për historinë tonë, por për besueshmërinë e të ardhmes evropiane ”, u shpreh ai pas takimit me homologun austriak , Michael Linhart.
Kryediplomati i Austrisë theksoi gjithashtu se BE-ja është e interesuar për marrëveshje mes dy shteteve dhe për një të ardhme më të mirë për vendet e rajonit.“Fillimi i negociatave nuk është një mundësi e mirë vetëm për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, por edhe për Bashkimin Evropian dhe gjithë rajonin. Perspektiva evropiane është e rëndësishme për vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar mes tjerash Linhart.