Austria ka prezantuar masa të reja për të luftuar nivelet në rritje të infeksionit me koronavirus duke synuar ata që mbeten të pavaksinuar.
Nga e hëna, vetëm personat e vaksinuar dhe ata që janë shëruar nga Covid-19 lejohen të hanë në restorante, të ndjekin ngjarje sportive ose të përdorin teleferikun e skive në vend. Rregulli vlen edhe në hotele dhe për shërbime të tilla si sallonet e parukerisë.
“Ne besojmë se kjo mund të japë një kontribut të fortë në frenimin e asaj që po ndodh”, citohet të ketë thënë zëvendëskancelari Werner Kogler në televizionin austriak të dielën, shkruan tg.
Ai shtoi se autoritetet rajonale mund të prezantojnë masa edhe më të ashpra nëse mendojnë se janë të nevojshme, duke përfshirë bllokimet lokale “si mjetin e fundit”.
Deri më tani, më shumë se një e katërta e njerëzve në Austri të moshës 12 vjeç e lart ende nuk kanë një certifikatë vaksinimi, e cila është cituar si një nga arsyet kryesore për rritjen e madhe të numrit të rasteve dhe të shtrimeve në spital.
Incidenca shtatë-ditore në Austri është aktualisht 599.6 për 100,000 njerëz. Në Austrinë e Epërme dhe në rajonin e Salzburgut – dy shtetet federale me nivelet më të ulëta të marrjes së vaksinave – incidenca tashmë ka tejkaluar shifrën 900.
Ndërkohë në fundjavë, shifrat në rritje të vaksinimit u raportuan nga i gjithë vendi.
Masat e reja janë duke u futur në faza në një periudhë katër javore, gjatë së cilës do të jetë e mjaftueshme prova e një vaksine të parë dhe një test negativ PCR.
Fëmijët nën 12 vjeç përjashtohen nga rregulloret dhe një test negativ mjafton për moshat 13 deri në 15 vjeç. Njerëzit që nuk mund të vaksinohen për arsye mjekësore mund të vazhdojnë të marrin pjesë në jetën publike me një certifikatë mjekësore dhe test PCR. Në Austri, testet e shpejta dhe PCR janë pa pagesë për të gjithë.