Punimet për ndërtimin e Tunelit të Llogorasë, që do të jetë një vepër strategjike për turizmin në rivierën e Jonit, do të nisin nesër.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, e cila publikoi një video me pamje nga ky projekt, si dhe disa prej investimeve të rëndësishme infrastrukturore që kanë përfunduar dhe të tjera që janë proces në Shqipëri.

Tuneli i Llogorasë me gjatësi 5.9 km do të shkurtojë kohën e udhëtimit nga 55 minuta në 7-10 minuta.

Ky tunel nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit deri në urën e Palasës. Sipas llogaritjeve, duke kaluar përmes tunelit prej 5.9 km, me një shpejtësi 50-80 km/orë, do të bënte që kjo rrugë të përshkohej për 7-10 minuta.

Bajpasi i Fierit me një gjatësi prej 22 kilometrash, plotëson të gjitha kushtet e sigurisë rrugore për të gjithë drejtuesit e automjeteve. Është një bajpas i kategorisë B, ekstra urban, i cili ka një limit shpejtësie 120 kilometra/orë.

Bajpasi i Vlorës që lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë, pjesa jugore e Vlorës është një tjetër rrugë që pritet të përfundojë plotësisht gjatë këtij viti. Gjatësia e këtij aksi është 29 km dhe fillon që nga rrethrrotullimi në fund të autostradës Levan-Vlorë.

Bajpasi i Tepelenës është vepër e rëndësishme e infrastrukturës kombëtare, pjesë e aksit Veri-Jug.

Një tjetër projekt i rëndësishëm është edhe Dukaj – Sinanaj në Tepelenë. Ky është një investim rreth 3.7 milionë euro, 14,5 km i gjatë dhe është një aks i rëndësishëm rrugor turistik, që i vjen në ndihmë edhe sektorit bujqësor, edhe atij agroturistik.

Rruga Kardhiq-Delvinë, me një gjatësi prej 33 km përbëhet nga 8 lote. Përfundimi i kësaj vepre infrastrukturore shkurton me 3 orë kohën e udhëtimit nga Tirana në Sarandë, duke i dhënë një hov të mëtejshëm zhvillimit shumëdimensional të zonës dhe vendit.

Rruga e Arbrit, e cila do të përurohet në 29 nëntor, ka 7 tunele me gjatësi totale 8.5 km. Me një gjatësi rreth 74 km, ajo do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim. Ky investim i strategjik, jo vetëm do të afrojë qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë me Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut, por do jetë një arterie e zhvillimit ekonomik dhe turizmit.

Unaza e Madhe e kryeqytetit përbën një segment prej 27 kilometrash të gjatë. Përfundimi i saj në vitin 2023 lehtëson trafikun brenda Tiranës, ndërsa e lidh kryeqytetin me të gjitha rrugët dalëse kombëtare.

Aksi rrugor Lin-Pogradec në juglindje të vendit, është kthyer në një atraksion tjetër spektakolar, që tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë e turistë të shumtë të vizitojnë qytetin e bukur liqenor të Pogradecit.