Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha në mbledhjen me kryetarët e degëve PD-së ka folur për situatën e krijuar brenda kësaj force politike, si dhe marrëdhëniet me SHBA-të.
Kryedemokrati u shpreh se PD-ja është para dy zgjedhjeve, ose të jetë e pranueshme për SHBA-të, ose të shpallet “non-grata”.
“Kemi përgjegjësinë historike, përpara demokratëve dhe shqiptarëve, që të mos lejojmë që partia që në 1992 erdhi në pushtet në partneritet të ngusht me Shtetet e Bashkuara, që ndërtoi lidhjet më të forta me partnerët perëndimorë, të mos përfundojë non grata.
Ky është thelbi që disa përpiqen të fshehin nga gjithë kjo histori, si nga ata që e shfrytëzojnë këtë moment për interesa personale, por edhe nga ata që duan të dëmtojnë Partinë Demokratike.
Prandaj të jetë e qartë për të gjithë, ose ne do të jemi një parti e pranueshme për Perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara, mikun tonë të madh, ose do të jemi një parti non-grata. Nuk ka zgjidhje tjetër dhe kushdo me mend në kokë e kupton që është ekzaktësisht kështu”, tha Lulzim Basha.