Bashkia e Tiranës rikthen traditën e Natës së Bardhë. Pas dy vitesh të vështira për shkak të tërmetit të 26 Nëntorit 2019 dhe pandemisë që mbylli botën mbarë gjatë vitit 2020, kryeqyteti shqiptar rikthen një prej mbrëmjeve më magjike në këtë prag festash kombëtare.
Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale vetë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili zbulon se këtë vit festa e 29 Nëntorit do të ketë 6 lokacione, duke i rikthyer kryeqytetit gjallërinë e natës së munguar përgjatë dy viteve.
Tradita vazhdon… Më 29 Nëntor, Nata e Bardhë: 6 lokacione, 6 aktivitete,” shkruan mes të tjerash Veliaj.
Sheshi Skënderbej, Rruga Pjetër Bogdani në zonën e ish-Bllokut, rruga “Mustafa Matohiti”, Reja, Sheshi Italia dhe ish-Parku Rinia janë zonat ku janë planifikuar aktivitetet dhe koncertet festive, ku nuk do të mungojnë surprizat dhe organizimet për fëmijët këtë vit në Tiranën e Bardhë.