Nga Mero Baze
Ilir Meta më në fund e gjeti motivin publik që e bashkon me “foltoren” Meqë vetë ende nuk është në Listën e zezë të SHBA dhe nuk ka halle të ngjashme me Berishën, gjeti më në fund shpëtim tek Gazmend Bardhi. Deklarata e këtij të fundit, se LSI ka refuzuar 15 vende të sigurta në listën e PD, në bisedimet parazgjedhore, ka mjaftuar që Ilir Meta t’i japë kushtrimin çdo anëtari të LSI të tregojë nga një histori se si i ka tradhtuar Lulëzim Basha më 2021. Prej 24 orësh, çdo zyrtar i LSI ka detyrë të tregojë së paku një histori që të provojë “besëprerjen” e Lulzim Bashës.
Secili tregon “besëprerjen” nga Luli i vet. Kështu ajo e Elbasanit tregon si e preu në besë Bardhi, i Korçës si e preu në besë Salianji, i e kështu me rradhë. Bëhet shumë kujdes që në ato qarqe që kanë drejtuar deputetë që janë me Foltoren të mos flitet për besëprerje. Për shembull në Durrës, nuk ka zëra për besëprerje meqë ishte Paloka, apo në Kamzës meqë ishte Noka.
Interesant është se shumë prej këtyre që kanë dalë të rrëfejnë tradhtinë e Bashës më 2021, nuk kanë qenë në takimin negociues mes Bashës e Bardhit nga një anë dhe Monika Kryemadhit e Luan Ramës nga ana tjetër.
Në fakt negociatat, LSI i ka zhvilluar me Berishën dhe për konfirmim shkonte tek Basha, por ideja e tyre për të dalë më vete ka qenë “besëprerja” e tyre ndaj opozitës me shpresë se do bëheshin faktor vendimtar për qeverinë. As Ilir Meta dhe askush në LSI nuk ka menduar që do të dalë me 4 deputetë, ndërkohë që ka refuzuar 3 herë më shumë në listat e PD. Plani i tyre ishte të diktonin formimin e qeverisë në Shqipëri, pra të tradhtonin dhe PD nëse i duheshin votat e tyre Ramës.
Ky plan dështoi dhe tani që PD është në një proces ndarje të madh, dhe sidomos pas përjashtimit të mundësisë që Basha i bëri një aleance të ardhëshme me Ilir Metën, ky i fundit thjesht po gjen një mënyrë se si t’i bashkohet foltores.
Dhe duket se e gjeti motivin të njëjte me Berishën, pasi po përpiqet të provojë se Basha është dy herë “besëprerë” një herë me Berishën një herë me LSI. Është thjeshtë një mënyrë për të hequr turpin t’i bashkohen foltores.
Në fakt aty është vendi real i tyre në skenën politike. Dhe sikur të mos ndodhte rrëfimi i sinqertë i Gazmend Bardhit, për mënyrën se si LSI ka humbur shansin të kishte 15 deputetë, çfarëdo që të ndodhte, Meta, Berishën do të zgjidhte. Nuk është duke bërë ndonjë zgjidhje të gabuar. Është zgjidhje e diktuar nga fati i përbashkët. TEMA