Varianti i ri i koronavirusit “Omicron”, po përhapet me shpejtësi në botë, ndërsa shumë vende kanë vendosur masa të ashpra për udhëtimet nga Afrika, ku u shfaq për herë të parë. Në Britaninë e Madhe janë identifikuar 2 raste, për këtë arsye kryeministri Boris Johnson ka prezantuar masat e reja kufizuese.

BORIS JOHNSON

KRYEMINISTER NE BRITANINE E MADHE

“Ne do të kërkojmë nga cilido që hyn në Britani të bëjë një test PCR deri në fund të ditës së dytë pas mbërritjes dhe të izolohet derisa të marrë një rezultat negativ. Personat që kanë pasur kontakt me njerëz që rezultojnë pozitivë për një rast të dyshuar me Omicron duhet të izolohen për 10 ditë ndërsa ashpërsohen edhe rregullat për mbajtjen e maskës.”

Gjermania, Italia dhe Holanda zbuluan gjithashtu raste të variantit të ri. Omicron është konsideruar një shqetësim nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, pasi sipas saj është më ngjitës. Varianti u zbulua në Afrikën e Jugut, ndërsa rasti i parë në Europë u shfaq në Belgjikë.