Banka e Shqipërisë bën të ditur se, ekonomia shqiptare po vijon të rimëkëmbet nga goditjet e marra nga tërmeti dhe pandemia, teksa pret rritje të shpejtë të ekonomisë në vitin 2021 dhe me ritme të qëndrueshme në 2022 e në vijim. Banka e Shqipërisë publikoi sot Raportin e Politikës Monetare për 3-mujorin e IV të vitit 2021, ku thekson se “rritja e ekonomisë pritet të jetë në bazë të gjerë”.

“Kjo ecuri vihet re në rritjen e vëllimit të aktivitetit ekonomik, në zgjerimin e punësimit dhe rritjen e pagave, në përmirësimin e bilanceve financiare të sektorit privat, si dhe në rritjen e qëndrueshme të kredisë bankare”, thekson raporti, teksa evidenton se, “këto politika bazohen në një konsolidim të politikës fiskale, ndërsa politika monetare do të vijojë të jetë e pranishme, ndonëse mund të reduktohet në vijim”. Sipas raportit të BSH-së, “rritja në tremujorin e dytë ishte me bazë të gjerë, ku përveç bujqësisë, të gjithë sektorët kishin kontribut pozitiv. Energjia ka ndikuar pozitivisht me shitjen e energjisë, tek ndërtimi efekt ka dhënë rindërtimi si dhe shërbimet, që morën goditjen më të fortë nga pandemia janë rritur gjerësisht. Sektori industrial dhe ndërtimi janë përshpejtuar. Në përmirësim ishte dhe konsumi dhe investimet private, që janë mbështetur nga rritja e optimizmit dhe kreditimit. Pozitivisht kanë ndikuar dhe investimet publike”.

“Rreziqet për inflacionin në afatin e shkurtër janë në kahun e sipërm. Inflacioni erdhi në rritje gjatë tremujorit të tretë, duke pasqyruar në masën më të madhe, goditjet e ofertës. Megjithatë Banka i qëndron opinionit se rritja e çmimeve do të jetë e përkohshme dhe nuk ka arsye pse të reagojë ndaj kësaj goditjeje”, vijon raporti. Në raport theksohet se,”kushtet financiare janë të favorshme për të mbështetur rritjen e ekonomisë dhe kthimin e inflacionit në nivele të qëndrueshme. Për këto arsye, norma e interesit u mbajt e pandryshuar”.

“Vlerësimet e bankës tregojnë se efekti i goditjeve nga ana e ofertës do jetë i pranishëm dhe në 6-mujorin e parë 2022, ndërsa parashikimet e gjithë vitit presin një korrektim për çmimet e ushqimeve, metaleve e mineraleve”, thuhet në raport. Banka e Shqipërisë bën të ditur se, do të ndërhynte me politikën monetare nëse inflacioni do të dilte jashtë kontrollit, por për momentin nuk ka një rrezik të tillë.