Gjatë javëve të fundit zonë Verilindore e vendit është goditur nga disa tërmete.
Bulqiza është tronditur nga pesë lëkundje sizmike në më pak se 12 orë.
Nënprefekti i Bulqizës, Avni Muliu, është shprehur se nuk janë raportuar dëme nga lëkundjet e një dite më parë.
Por, nga ana tjetër banorët e Bulqizës kanë qenë në ankth pasi epiqendra ishte vetëm pak kilometra larg qytetit në afërsi të Qafës së Buallit. Muliu tha se i është kërkuar Bashkisë Bulqizë të mos lejojë rikthimin e banorëve në pallatin e rrezikshëm pasi mund të ndodhë ndonjë tragjedi.
“Jam lidhur me të gjithë administratorët dhe drejtorët e emergjencave të Bashkisë. Kemi bërë rezyme për të parë nëse ka probleme. Tek pallati i ri ku jetojnë 40 familje ka pasur dëme. U shpërngulën momentalisht por kishin frikën e grabitësve. Banorët janë të stresuar. Pjesë e atij pallati jam edhe unë. Tani janë bërë të gjitha procedurat sipas informacioneve që kam nga bashkia dhe pritet vendimi për rindërtimin apo ndërtimin e një pallati tjetër diku tjetër. Edhe në vende të tjera ka probleme, stresi është po ashtu,”- tha Muliu.