Ministrja e Shëndetëisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë degjësës për buxhetin 2022 në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë ku është pyetur për skemën e ndihmës ekonomike, u është përgjigjur deputetëve të opozitës se, në kohën kur ata ishin në pushtet skema e ndihmës ekonomike përdorej për vota, ndërkohë që jepej lëmoshë me masën e përfitimit.

“E kemi gjetur skemën e ndihmës ekonomike në mëshirë të fatit, me 40 mijë familje që merrnin thjeshtë 1 mijë lekë te reja, 10 mijë lekë të vjetra. Të flasësh realitetin, ju mund të mos u pelqejë, sepse ju mund të evokoni kohët kur ndihma ekonomike ishte thjesht një instrument që ju e kishit të barabartë me votën. Por kjo nuk ndodh më”, u përgjigj Manastirliu.

Duke theksuar se reforma e ndihmës ekonomike ka shënjestruar familjet më në nevojë, Manastirliu tha se 95% e familjeve aplikuese rezultojnë përfituese të ndihmës ekonomike, ndërkohë që pjesa tjetër mbështetet me fondin 6% të vendosur në dispozicion të bashkive.

“Kjo reformë ka adresuar varfërinë dhe ka shënjestruar familjet më në nevojë. Nga ata të cilët aplikojnë në skemë mbi 95 % janë përfitues. Kjo është një shifër shumë esenciale që është një shifër por në fakt janë familje, janë jetë njerëzish, janë mbështetje direkte që ofrohet nga shtetit. Janë aplikues fitues mbi 95 %. Pjesa tjetër e familjeve të cilët nuk përzgjidhen nga sistemi në bazë të kritereve transparente që ne kemi vendosur janë pjesë e përfshirjes nga bashkitë nëpërmjet kritereve të posacme që bashkitë vendosin dhe financimit direkt prej 6 %”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se janë rreth 70 mijë familje që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike, Manastirliu tha se me buxhetin 2022 do të rritet masa e ndihmës ekonomike.
“Janë rreth 70 mijë familje të cilat përfitojnë direkt nga ndihma ekonomike që jepet nga shteti. Por buxheti i vitit 2022 për të cilin ne jemi mbledhur këtu do të rrisë masën e ndihmës ekonomike me 10 %. Do të dyfishojë masën e ndihmës ekonomike për familjet të cilat kanë 3 fëmijë deri në 18 vjeç dhe do të trefishojë masën e ndihmës që jepet fëmijëve jetimë, grave të dhunuara dhe të trafikuara”, tha Manastirliu.