Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë dëgjesës për buxhetin 2022 në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë ka bërë me dije se investimet e reja që hapen do të zgjerojnë më tej kantierin e Shëndetësisë. Duke theksuar rëndësinë e përmirësimit të infrastrukturës, Manastirliu tha se këtë vit fillon rikonstruksioni i Spitalit Infektiv, për ta kthyer atë në një qendër model reference.
“Rikonstruksioni i spitalit Infektiv do të fillojë në vitin 2022, me mbështetjen e Bankës Botërore në vlerën 4.8 milion euro. Një investim që do të sigurojë modernizimin dhe transformimin e këtij shërbimi në një qendër reference edhe për nga pikpamja e teknologjisë dhe infrastrukturës”, tha Manastirliu.

Duke folur për investimet e reja, Ministrja Manastirliu tha se do të fillojë rehabilitimi i Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut me buxhetin 2022.
Sipas Ministres së Shëndetësisë, një vëmendje të veçantë në buxhet do të ketë fuqizimi dhe modernizimi i flotës së pajisjeve biomjekësore në rrjetin e universitare dhe spitaleve rajonale, duke rinovuar teknologjinë dhe duke fuqizuar shërbimin e imazherisë.
Manastirliu tha se do të fillojë faza e dytë për rikonstruksionin e 50 qendrave shëndetësore, për të vijuar programin e 300 qendrave shëndetësore.
“Përsa i përket kujdesit parësor, në kuadër edhe të programit tonë të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore, një program si një fazë e parë i përfunduar me sukses, do të hapet faza e dytë e këtij programi, duke filluar që në vitin 2022, me 50 qendra shëndetësore dhe ambulanca”, tha Manastirliu.
Manastirliu e ka cilësuar buxhetin e vitit 2022 si historik për shëndetësinë, teksa ka nënvizuar se do të vijoj përfundimi i një sërë investimesh të nisura:
Do të vijojë përfundimi i fazës së parë të programit të modernizimit të QSUT-së, ku përfundon spitali i ri i sëmundjeve të brendshme dhe gjithashut edhe pajisjet, për të filluar menjëherë me funksionimin e këtij spitali të ri. Do të vijojnë punimet për rikonstruksionin e spitalit të Pediatrisë në fazën e dytë. Ndërkohë që do të bëhet funksionale faza e parë e godinës së re të shërbimit pediatrik.
Vijimi i punimeve për modernizimin e spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, investim në vitin 2022 që parashikohet në vlerën 175 milionë lekë. Do të përfundojë rikonstruksioni e Spitalit Rajonal në Kukës dhe gjithashtu materniteti i këtij spitali. Do të financohet dhe do të përmbyllet projekti për rikonstruksionin e Qendrës Kombëtare Terapeutike Rehabilituese të Fëmijëve në Tiranë dhe gjithashtu do të bëhet funksionale kjo qendër, që i shërben në trajtën e një qendre gjysëm rezidenciale dhe një spitali, fëmijëve me problematika të ndryshme shëndetësore.
Do të përfundojë gjithashtu, në kuadër të programit të nënës dhe fëmijës për rikonstruksionin e pediatrisë së Spitalit Rajonal Elbasan dhe do të bëhet funksional në fillim të vitit tjetër, me mbështetjen e këtij buxheti të vitit 2022.