Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte i pranishëm në Komisionin e Ligjeve, ku po zhvillohet seanca dëgjimore me Shoqatën për Autonimi Vendore për “Buxhetin e vitit 2022”. Veliaj vuri theksin te përmirësimi i transportit publik, ku theksoi se për disa propozime ka marrë dakordësinë e qeverisë, por kërkon edhe dakordësinë e Komisionit të Ligjeve dhe të Parlamentit.
“Jetojmë në një situatë ku tregu i naftës është ky që është dhe kërkojmë që vullneti i qeverisë të reflektohet edhe me një dakordësi në Parlament, kur vjen puna për të ndihmuar operatorët e transportit publik. Por, transporti publik është sot i pa balancuar për shkak të nivelit të tregut dhe çmimit të naftës. Një propozim që kemi, bashkë me qeverinë, është të heqim TVSH-në e biletës. Po ashtu, një tjetër propozim mund të jetë rimbursim i TVSH apo akcizës së naftës. Kemi një paketë instrumentesh, që të bëhet i arsyeshëm menaxhimi i transportit publik, i cili sot është në prag të kolapsit”, u shpreh ai, teksa u kërkoi ndihmë ministrive përkatëse për subvencion për disa kategori, siç janë studentët, veteranët apo personat me aftësi ndryshe.
Kryebashkiaku u ndal edhe te trajtimi i mbetjeve urbane. Ai tha se është dakordësuar me qeverinë për subvencionin për menaxhimin e mbetjeve për zonat e mëdha urbane apo zonat bregdetare, që kanë një intensitet edhe më të madh.
“Kemi dakordësuar me qeverinë një plan, sidomos për subvencionin që vjen për menaxhimin e mbetjeve për zonat e mëdha urbane apo zonat bregdetare që kanë një intensitet të posaçëm, sidomos në tre muajt e verës, apo shumë zona të tjera bregdetare që kanë nevojë që t’ju miratohet ky subvencion. Disa prej tyre do jenë në aktin normativ, le të themi me mbetjet e këtij viti, disa të tjera do jenë në buxhetin e natyrshëm të shtetit. Do u kërkonim mbështetje edhe për këtë. Unë them se pavarësisht kush i menaxhon bashkitë, mbrojtja kundër zjarrit, përmbytjeve, emergjencave civile, rrëshqitjeve të tokës apo menaxhimi i mbetjeve, është diçka që na intereson të gjithëve se jetojmë në këto qytete”, nënvizoi Veliaj.