Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca është duke raportuar në Komisionin e Ekonomisë sa i përket buxhetit të vitit 2022 për këtë Ministri.
Teksa shpjegoi shpërndarjen e buxhetit, Krifca theksoi se rreth 2.3 mld lekë që i janë caktuar kësaj Ministrie do të shkojnë për të rritur sigurinë ushqimore, duke investuar në kapacitete, në përmirësimin e analizave dhe kontrolleve, në gjurmueshmëri, higjienë dhe paketim.
Po ashtu Krifca shtoi se për të rritur sigurinë ushqimore 120 grupet e kontrollit të AKU-së do të pajisen me teknologji për kontrolle efiçente dhe cilësore.
“Në vitin 2022 do të kemi një buxhet të lartë për sigurinë ushqimore me 2.3 mld lekë. Siguria ushqimore është prioritet i qeverisë shqiptare, ndaj do të investojmë në kapacitete, në përmirësimin e analizave dhe kontrolleve, në gjurmueshmëri, higjienë dhe paketim. Do rrisim sigurinë ushqimore drejt standardeve europiane me laboratorë modernë dhe trajnim të burimeve njerëzore, që është pika kyçe e vënies në funksion të këtyre laboratorëve.
Për këtë do të pajisim 120 grupet e kontrollit të AKU-së me teknologji për kontrolle efiçente dhe cilësore. Do të vazhdojmë të matrikullojmë, vaksinojmë dhe gjurmojmë të gjithë kapacitetin tonë blegtoral, që është një pasuri kombëtare. Nëpërmjet forcimit të dy autoriteteve kontrolluese në të gjithë territorin për ushqimin, veterinarinë dhe bimët, do të sigurojmë efektivitet me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit dhe eksporteve”, tha ministrja Krifca.