Arsimi është një ndër sektorët ku vëmendja e qeverisë kanë qenë gjithnjë e shtuar. Në prezantimin e buxhetit për arsimin, kryeministri Edi Rama rikonfirmoi rritjen e pagave për këtë kategori.

“Edhe me projektbuxhetin për vitin 2022, vijon rritja e pagave për gjithë mësuesit. Projeksioni ynë i mandatit të tretë është që pagat të rriten padiskutim edhe 32%, por mundësisht të realizojmë objektivin e rritjes 40% të tyre.”

Si një nga risitë e buxhetit për arsimin, kryeministri Rama përmendi mbështetjen për nxënësit, si brenda ashtu edhe jashtë klasave. Ai e cilësoi të nevojshme që fëmijëve t’ju jepet një mundësi të gjejnë fushën ku kanë talent dhe të përkrahen për të arritur me sukses aty.

“Kemi vendosur një financim të konsiderueshëm për herë të parë, për të adresuar boshllëkun mes orës së mësimit dhe shtëpisë, duke ju ofruar nxënësve hapësira për artet, zejet dhe për sportin. Po punohet për një program të mirë-përcaktuar kombëtar, që do të jetë gati në pranverë, për të nisur zbatimin vitin e ardhshëm shkollor.”

Nga buxheti prej 45 miliardë e 658 milionë lekëve të parashikuara për Ministrinë e Arsimit, 970 milionë lekë do të jenë në dispozicion për plotësimin e të gjitha shkollave me laboratorë shkencorë dhe mësimorë, me pajisje të dedikuara.

“Laboratorët atraktivë në shkolla janë të pakët. Ndaj, është vendosur për herë të parë një buxhet specifik që do përsëritet vit pas viti, që laboratorët të tërheqin nxënësit të shkojnë. Është e pakonceptueshme të futesh në laborator dhe të bësh teori.”

Kryeministri Rama e cilësoi teknologjinë në shkolla si domosdoshmëri të diktuar edhe nga tregu i punës, përveç zhvillimit të përditshëm.

“Duhet t’i japim një shtytje të madhe, të gjithë së bashku, teknologjisë. Duhet të fillojmë t’i nxisim me fakte dhe argumente fëmijët drejt mundësisë së jashtëzakonshme që teknologjia i jep moshës së tyre. Është tregu më i madh global ku mund të hysh pa pasur nevojë të lëvizësh nga shtëpia dhe të punësohesh nga kudo që je.”

Kryeministri Rama deklaroi se edhe sporti do të luajë një rol të rëndësishëm në shkollimin e nxënësve, me një fond të dedikuar.

“Është koha për ta riparë gjithë sistemin. Shqipëria ishte i vetmi vend pa orë të edukimit fizik. Klasat dhe klubet sportive janë komponent i shtuar.”

Në mbyllje të fjalës së tij, Rama dha mesazhin e fortë se duhet ndërhyrë që drejtuesit me vlerë të shkollave të mbështeten, kurse ata që nuk duhet të vijojnë më të drejtojnë, të largohen.